Lajme

Qeveria e Kosovës nuk ka informata si kanë hyrë vaksinat në veri të vendit

Qeveria e Kosovës ka reaguar sot pas lajmit se të premten janë dërguar në veri të vendit vaksina kundër COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit, përcjell Telegrafi.

“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Më tej thuhet se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale). Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”, thuhet në njoftim.

Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me vaksinën Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.

Vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se institucionet janë të angazhuara që sa më shpejt ta sigurojnë vaksinën, por nuk ka konfirmuar nëse Kosova po zhvillon negociata me kompanitë Pfizer dhe BioNTech për sigurimin e vaksinës së tyre. /Telegrafi/