Lajme

“Qeveri pa ide, pa eksperiencë, e paaftë dhe e papërgjegjshme”

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj vazhdon të kritikojë Qeverinë Kurti për menaxhim të pandemisë, ku thotë se keqmenaxhimi po vazhdon të thyejë rekorde të zeza.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka listuar problemet me të cilat po përballen qytetarët, stafi shëndetësor.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Qeveri pa ide, pa eksperiencë, e paaftë dhe e papërgjegjshme, me fjalë shumë e aspak punë

Keqmenaxhimi i kësaj Qeverie vazhdon të thyej rekorde të zeza në vazhdimësi. Mbi 100 qytetarë të vdekur për 4 ditë. Vetëm sot 22 prej tyre ndërruan jetë, gjersa kemi 27.404 raste aktive me Covid-19.

Zoti na ruajt!

Ndodh edhe kjo, vaksina nuk kemi mjaftueshëm, termine të lira jo, ndërsa kësaj qeverie i skadon afati i vaksinave.

Kjo Qeveri, për 10 ditë i ndryshoi 3 herë masat.

Spitalet janë plot e stafi shëndetësor i stërngarkuar.

Shtesat për profesionistët shëndetësorë i ulën deri në nivel lëmoshe.

Diasporën tonë të dashur për arsye elektorale tentuan ta manipulojnë, ndërsa shëndetin dhe jetën ia rrezikuan, me virus e infektuan.

Një pjesë e madhe e bashkatdhetarëve tanë, në vend se të kthehen në vendet e tyre të punës, ata përfunduan të shtrirë në spitale duke luftuar për jetën e tyre.

Zvicra dhe vendet tjera mike, e bëjnë përgjegjës vendin tonë për shpërndarjen e virusit në vendin e tyre.

Kjo Qeveri, Kosovën e renditi në pozitën e parë në lista të zeza për nga shkalla e rrezikshmërisë, si rezultat i numrit të të vdekurve dhe të infektuarve.

Pasojat e këtij keqmenaxhimi kanë adresë, ajo është Qeveria, respektivisht i pari i saj dhe i pari i Ministrisë së Shëndetësisë, me ç’rast ky i fundit dje tha se unë jam i njëjti. Ministër, ne e dinim që je i njëjti, ndaj dhe nuk kemi pritur kurrë më shumë nga ju, ndërsa tani edhe të tjerët po të shohin e po të njohin mirë cili je, besa shumë mirë, dhe pikërisht për këtë arsye nuk ke mundësi më t’i mashtrosh.

I pari i Qeverisë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës bënte propagandë kinse me ardhjen e tyre edhe virusi iku. Ishte i pari në botë për shpallje të përfundimit të pandemisë, ndërsa e bëri vendin tonë të parin në botë për vdekshmëri e infeksion.

Kjo Qeveri, në emër të përfundimit të pandemisë i kishte larguar edhe 575 profesionistë shëndetësor.

Kjo është e vetmja Qeveri që përgjegjës dhe fajtor për paaftësinë e saj e bën popullin e vet.

Zoti na ruajt!


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?