Lajme

Rezultatet e para të zgjedhjeve, Prishtina e nxjerr LDK’në në festë, VV’në e lë pa shumë “tekst”

Balotazhi duket se është i pashmangshëm në qytetin e Prishtinës. Sipas “EXIT POLL”-ave të prezantuar nga televizionet kosovare, Lëvizja Vetëvendosje është e para, kurse LDK e dyta, por kandidati i LVV-së, Arben Vitia nuk ka arritur të siguroj mbi 50 përqind të votave. Njëjtë po tregojnë edhe rezultatet preliminare të KQZ-së, ndonëse numërimi i votave është tek mbi 20 përqindëshi i votave totale.

Rezultatet e “EXIT Poll”-ave duket se nuk janë shumë të pëlqyeshme për degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Atmosfera në selinë e shtabit të LVV-së në Prishtinë, u bë e zymtë, pak pasi u mbyllen qendrat e votimit. Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia nuk u pa shumë në disponim.

Kjo pasi Vetëvendosje dhe Vitia sikur kishin parashikuar fitore pa balotazh me 17 tetor në Prishtinë, por exitpoll-et e më pas edhe rezultatet e para preliminare nxorën diçka tjetër.

Anëtarët e shtabit zgjedhor të LVV-së gjatë gjithë kohës ishin në telefon duke biseduar me komisionerët dhe vëzhguesit. Numri i votave nga qendrat e ndryshme të votimit po vinte, por nuk ishte ai që pritej.

Kryeqyteti me shumë gjasë po shkon drejt balotazhit në nëntor. Arben Vitia duket se e ka të siguruar përballjen me Përparim Ramën e LDK-së në rundin e dytë të garës për Prishtinën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Lëvizja Vetëvendosje iu deshën mbi 2 orë që dikush prej tyre të dalë në konferencë për media. E kur u thirr një gjë e tillë, para gazetarëve doli deputetja Fitore Pacolli. Tha se LVV ka fituar komunat më të fuqishme.

“Kundërthëniet e mëdha të EXIT Polleve të prezantuara në emisionet televizive në rastin më të mirë janë thelbësisht jo serioze, duhet të shihen në kontekst të propagandës javëve të fundit të orientuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje” tha ajo.

E pas saj, në një paraqitje televizive, heshtjen e theu edhe kandidati Arben Vitia.

“Në asnjë moment nuk jam i zhgënjyer as unë as Lëvizja Vetëvendosje. Deri tani ne prijmë dukshëm nga kandidatët e tjerë. Nuk ka asnjë arsye për zhgënjim”, ka thënë ai.

“Deri tani me 30 për qind nuk mund të themi nëse kemi fituar. E rëndësishme është që sot ka pasë një proces demokratik. Mendoj që përmbi të gjitha ka fitu demokracia. Kur i kemi të gjitha rezultatet nga terreni, ne do dalim me to. Mund ta kenë lakmi edhe rajoni. Nuk ka pasë asnjë ekses të vetëm”, deklaroi Kandidati i VV’së për Kryetar të Prishtinës.

Krejt tjetër atmosferë ishte në zyrën e LDK-së në Prishtinë, ndonëse askush prej tyre nuk doli ende në konferencë për media.

Kandidati, Përparim Rama dhe shtabi i tij zgjedhor ishin plotë buzëqeshje e gëzim. Aktivistët e LDK-së kishin filluar festën nga shtabi i Ramës, për ta vazhduar “zhurmën” e tyre edhe në rrugët e qytetit.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në ora 20:00 tha se partia e tij, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka shënuar rezultatin më të mirë.

“Të dhënat tona flasin se kemi fituar në gjashtë komuna: Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Deçan e Junik. Po ashtu shkojmë në balotazh në të paktën një komunë, është Istogu”, tha ai dhe shtoi se kanë vërejtur rritje të votave për partinë e tij edhe në komuna të tjera.

Ai këto zgjedhje i cilësoi si të lira, demokratike dhe të organizuara sipas “standardeve më të larta”.

Kurse, PDK, po në konferencë për media u shprehën se rezultatet e para janë inkurajuese dhe se janë në pritje të rezultateve.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media ka falënderuar nga zemra të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që sot dëshmuan kulturë të lartë demokratike e politike, duke votuar në mënyrën më të civilizuar për të ardhmen e komunave të tyre.

Çitaku ka falënderuar të gjithë zyrtarët përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, Policinë e Kosovës që u kujdes për sigurinë dhe të gjithë personelin tjetër të angazhuar në këto zgjedhje.

“Tani, të gjitha votat e qytetarëve ndodhen në kutitë e votimit dhe ftojmë të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që të numërojnë saktë secilën votë. Sot ishte dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të komunave.”, tha ajo.

Çitaku theksoi se sipas informacioneve të marra nga vëzhguesit PDK-së që janë angazhuar në gjithë territorin e vendit, rezultatet e para janë shumë pozitive dhe shumë inkurajuese për Partinë Demokratike të Kosovës.

“Tani presim konfirmimin zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”, përfundoi aj

Balotazhi i zgjedhjeve parashihet të mbahet 14 nëntor, kur përfundimisht do të vendoset se kush do ta udhëheq kryeqytetin e Kosovës, dhe komunat tjera, për 4 vitet e ardhshme.

Nga përditësimi numërimëve të votave i orës 20:15, në Prishtinë po prin Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje me 41.46 për qind. Pas tij është kandidati i LDK-së, Përparim Rama, me 32.49 për qind. /Reporteri.net/