Lajme

Pse Donika Kadaj-Bujupi, votoi kundër ‘Qeverisë Hoti’- tregon deputetja

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se kryeministri Avduallah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të saj politike, prandaj edhe e ka votuar kundër.

Kadaj- Bujupi ka thënë se së Hoti ka insistuar në heqjen e taksës ndaj Serbisë, dhe se për këtë nuk e ka votuar, transmeton Telegrafi.

“Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore”, ka shkruar ajo në Facebook, përcjell Telegrafi.

Deputetja më tej ka thënë se në këtë rast është anashkaluar Vjosa Osmani, ndërsa është caktuar një kandidat tjetër sipas saj në tavolinë.

“Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar një grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë.
Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër”, vijon shkrimi i saj.

Ndryshe, me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim sot në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria Hoti.