E mërkurë, 27 Maj, 2020
Lajme

PSD’ja iu ofrua PDK’së për ta bërë kryeministër Veselin. Kryetare e Kuvendit, Aida Dërguti

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partitë opozitare i kanë ofruar PDK-së për të formuar një qeveri të re pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, por shtoi se ai nuk ka pranuar.



Madje, Veseli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se partitë opozitare që për dy vjet kërkuan zgjedhje ishin të gatshme të hyjnë në qeveri me kryeministër vet atë.

“Ka pasur oferta që të vazhdohet ky mandat deri në vitin 2021 me mandatar për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht vet mua. Ka pasur edhe oferta nga partitë të cilat tentojnë në opinionin publik të flasin për zgjedhje shumë të shpejta të parakohshme. Por jo, kjo nuk do të ndodhë për vet faktin se në rrethanat në të cilat është Kosova aktualisht, qytetarët e meritojnë një qeverisje e cila do t’i drejtonte në një rrugëtim të zhvillimit të perspektivës dhe luftës kundër korrupsionit. Këto janë prioritetet më të mëdha në Kosovë, punësimi dhe lufta kundër korrupsionit”.

E Ballkani.info merr vesh ekskluzivisht se partia që i ishte ofruar Veselit dhe PDK-së për vazhdimin e qeverisjes ishte PSD-ja e Shpend Ahmetit.

Këto burime kanë thënë se PSD-ja ka kontaktuar me Veselin dhe kanë qenë të gatshëm ta mbështesin atë si kryeministër pas dorëheqjës së Ramush Haradinajt.



“PSD-ja ka qenë e gatshme të futet në qeveri. Ata e kanë ofruar edhe dizajnimin e koalicionit të ri, duke e ofruar Aida Dërgutin, aktualisht nënkryetare e Kuvendit, si kryetare e re e Kuvendit. Pra njëfar rotacioni, Veseli nga kryetari i Kuvendit, kryeministër, kurse Dërguti nga nënkryetare në kryetare të Kuvendit”, kanë thënë këto burime për Ballkani.info.

LEXO EDHE:
Shoferit kosovar ia dëmtojnë veturën: Veprimi i një prindi habit të gjithë

Duke pasur parasysh se PSD-ja në Kuvend i ka 12 deputetë, aq sa i ka edhe AAK-ja e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, një matematikë e tillë do ta mbante “në këmbë” “Qeverinë Veseli” me 61 deputetë.

Lidhur me këto pretendime, Ballkani.info ka provuar të kontaktojë fillimisht me shefin e Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, më pas me deputetin Dardan Molliqaj dhe nënkryetaren e Kuvendit, Aida Dërguti. Mirëpo, asnjëri nga këta zyrtarë të lartë të PSD-së nuk është lajmëruar në telefon.



Kuvendi i Kosovës pritet të shpërndahet më 22 gusht dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. /Ballkani.info/