Lajme

Prokuroria jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Mitrovicë, viktimat u goditën me thikë

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka dhënë detaje për vrasjen e dyfishtë që ndodhi mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicë.

Sipas Prokurorisë, djali ka vrarë babain dhe vëllain e tij binjak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05: 30 të mëngjesit.

Motivet ende nuk dihen.

“Rreth orës 5 – 5.30 të mëngjesit në banesën në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri, i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babain e tij M.B., dhe vëllaun binjak U.B., me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të hetimeve të para dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë, derisa trupat e viktimave janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?