Lajme

Prokurori i rastit: I dyshuari është denoncuar disa herë për dhunë në familje, mbi viktimë u shkrepën tre plumba

Një grua rreth moshës 35-vjeçare është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj dje rreth orë 18:00, para repartit të Gjinekologjisë. 35-vjeçarja (Hamide Magashi) që u vra dje, ku dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i saj (Sokol Halili) kishte qenë në muajin e nëntë të shtatzënisë.

Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri në një prononcim për Gazetën Insajderi ka thënë se ndaj Sokol Halilit ka disa raste të paraqitura në organet e hetuesisë për dhunë në familje. “Ka pasur të raportuara disa raste të dhunës në familje, por detajet ende nuk i di”, ka theksuar Beqiri.

Tutje, prokurori shtoi se në vendin e ngjarjes kanë gjetur tri gëzhoja të plumbave, që supozohet se shtatzëna është qëlluar tre herë. Ai ka theksuar se i dyshuari është në kërkim dhe se për të është lëshuar urdhër-arrest. Shtatzëna 35-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka qenë në proces të ndarjes. Ajo është qëlluar para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, të mërkurën në mbrëmje.