Lajme

Profesori amerikan: Serbia nuk duhet privilegjuar më, BE të vendosë në mënyrë unanime për çështjen e Kosovës

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington beson se Bashkimi Evropian duhet të vendosë në mënyrë unanime për çështjen e Kosovës dhe në këtë mënyrë, bashkë me Shtetet e Bashkuara, të fitojë ndikim në krijimin e stabilitetit në Ballkan.

“Unë në fakt besoj se i gjithë ky konfuzion nuk është edhe aq i komplikuar. Ne nuk kemi pasur mundësi të mbyllim çështjen e Kosovës, dhe kjo gjë lidhet natyrisht me Serbinë, dhe Serbia më pas lidhet përveçse me Kosovën edhe me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë. Kjo gjë lidhet edhe me vetë zhvillimin politik në Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi lidhet me zhvillimin e saj demokratik, që është duke bërë kthim mbrapa. Dhe krejt kjo lidhet me mungesë të ndikimit. Mungesa e ndikimit që kemi në Kosovë, ka të bëjë me atë pse çështja e Kosovës është ende e hapur në krijimin e stabilitetit në Ballkan”, shprehet Joseph.

Ai beson se Perëndimi duhet t’i japë fund qasjes privilegjuese që ka ndaj Serbisë, për shkak të qëndrimit që ka kjo e fundit ndaj Kosovës.

“Serbia nuk e ka njohur Kosovën, andaj edhe çështja e Kosovës ka mbetur pezull, ashtu sikurse edhe e Serbisë. Serbia nuk ka qenë në gjendje të ecë përpara. Në vend që të ecë përpara, është duke bërë kthim mbrapa. Udhëheqësia e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq është duke bërë kthim mbrapa. Dhe nuk jam vetëm unë që po e them këtë. Kështu po thonë edhe akademikë dhe aktivistë serbë. Dhe krejt kjo ka të bëjë me mungesën tonë të ndikimit. Problemi është se ne nuk jemi të bashkuar sa i përket çështjes së Kosovës. Për shkak të këtyre ndasive, për shkak të këtyre pesë shteteve të BE-së që nuk njohin Kosovën, kjo i bie që ato pesë vende kanë pozicionin e njëjtë sikurse ai i Serbisë. I bie se ato kanë pozicionin e njëjtë me të Rusisë dhe Kinës. Kjo i bie që ne jemi të penguar. Nëse pesë shtete të BE-së kanë të njëjtin pozicion sikurse Serbia, Rusia dhe Kina, kjo i bie që Serbia nuk është stimuluar për ta njohur Kosovën, sepse Kosova është e bllokuar nga Rusia dhe Kina”, tha ai.

Ai po ashtu propozon miratimin e dy parimeve nga blloku evropian dhe NATO-ja, përmes së cilave ndalet agresioni politik dhe shmangen ndryshimet territoriale.

“Të imagjinojmë se Rusia dhe Kina do të thonë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës edhe nëse Serbia do ta njohë shtetësinë e saj. Por nëse pesë vendet e BE-së e njohin Kosovën, kjo gjë nuk do të ishte edhe aq problematike, dhe aq serioze. Kjo pasi Kosova më pas do të mund të ishte pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe kjo bllokadë në Kombet e Bashkuara nuk do të kishte shumë rëndësi. Në këtë mënyrë, Serbia nuk do të kishte kaq shumë ndikim dhe potencialisht do të mund t’i ndalej ritmi, ndërkohë që Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s, do të avanconte drejt BE-së dhe do të bëhej shtet më i fuqishëm. Çfarë do të fitonte Serbia përveçse do të shikonte dhe do të humbiste në strategjinë e të mbajturit Kosovën të izoluar. Pra krejt kjo është e lidhur me ndasitë në Evropë, që rrisin më pas ndikimin te Serbia dhe për shkak se Serbia ka ndikim, problem është i pazgjidhur”, shtoi Joseph për REL.

Tutje, profesori amerikan ka folur edhe për ndryshimet e territoreve në ballkan.

Sipas tij, Uashingtoni dhe Brukseli kanë hequr dorë nga shkëmbimi i territoreve, por kjo temë nuk ka hequr dorë nga këto dy vende.

“Po, kjo është zgjidhja ime. Uashingtoni dhe Brukseli patën thënë se heqim dorë nga tema e shkëmbimit të territoreve. Por muajin e kaluar papritur u prezantua “bomba sllovene” për ndryshime territoriale. Koncepti i njëjtë. Kthehemi prapë te mungesa e ndikimit. Përgjigjja për këtë çështje në teori mund të zgjidhet shpejt. Nëse pesë vendet e BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja do ta njihnin shtetësinë e Kosovës, ky problem do të zgjidhej menjëherë dhe situata në mes të Kosovës dhe Serbisë do të stabilizohej. Mirëpo e dimë që këto pesë shtete nuk do ta njohin shtetësinë e Kosovës për shkak të problemeve të tyre të brendshme, siç është Katalonja në Spanjë”, shtoi ai.

Sipas tij, SHBA-ja duhet të krijojnë një pozicion unanim që zbatohet për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit

“Prandaj unë kam gjetur zgjidhje për këtë gjë. Këto vende nuk kanë nevojë që ta njohin Kosovën, por ato vende bashkë me pjesën tjetër të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një pozicion unanim që zbatohet për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Qasja e tyre duhet të jetë drejt dhënies fund të agresionit politik. Ato mund të mos e njohin të gjitha Kosovën dhe kjo mund të jetë në rregull, por ato vende duhet të vendosin limite sepse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE dhe Kosova ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me bllokun evropian”, tha ai.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?