Prodhimet bujqësore, mbi 14 përqind më shtrenjtë se vitin e kaluar
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e indeksit të çmimeve të prodhimeve bujqësore për tremujorin e parë të vitit 2023.
Sipas këtij raporti, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 16.89 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 6.45 përqind.
Krahasuar me vitin paraprak, i bie që indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 14.28 përqind.
Raporti i ASK:
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2023, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 16.89%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 6.45%.