Lajme

Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së, vjen lajmi i fundit nga kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të dielën, më 14 mars, do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, për të zgjedhur kryetarin e ri.

Deri më tani në garë janë katër kandidatë: Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Anton Quni dhe së fundmi edhe Besian Mustafa.

Ky i fundit kandidaturën e tij e bëri të ditur dje përmes një postimi në “Facebook”.

Duke komentuar kandidaturat e fundit të kandidatëve, kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Besian Mustafa kandidaturën e tij nuk e ka adresuar në organet e LDK-së, por në media.

“Janë tre veta, të cilët në organet e LDK-së kanë paralajmëruar se do të paraqesin kandidaturat e tyre për kryetar të LDK-së. Po ashtu lexova dje edhe për një paralajmërim, i cili nuk u është adresuar organeve të LDK-së, por mediave. Sidoqoftë, kandidaturat paraqiten në Kuvend përmes Komisionit Kandidues”, u shpreh Mustafa.

I pyetur nga se ku e sheh LDK-në pas këtij Kuvendi, Mustafa u shpreh se kjo parti duhet të mbetet e qendrës së djathtë, konservatore dhe e të gjitha gjeneratave.

“Pas datës 15 mars LDK-ja duhet të mbetet LDK, parti e qendrës së djathtë, konservatore, e të gjitha gjeneratave. Parti shtetformuese e parrëmbyer nga popullzimi dhe propaganda e majtë”, tha Mustafa.

Ai tutje shtoi se LDK-ja duhet të mbetet parti që nuk do të lejojë të shikohet në pasqyrën e LVV-së ose të PDK-së.

“Parti e cila nuk do të lejojë të këqyret në pasqyrën e Vetëvendosjes ose të PDK-së, por do të mbetet shembull unik i shtetndërtimit, e cila do të luftojë për përkrahje, duke e ruajtur fondamentin e saj. Jam shumë i bindur se do të rikthehet fuqishëm me besim edhe më të madh qytetar”, tha Mustafa, për Telegrafin.

Të dielën, më 14 mars, LDK do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm, ku do të zgjidhet kryetari dhe organet e tjera të partisë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?