Lajme

Pro dhe kundër – Propozimi për shkarkimin e Osmanit shpërfaq mospajtimet brenda LDK-së

Deri në orën 19:00 pritet të zgjasë votimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Para vetes tashmë ata kanë dy opsione, po dhe jo shkarkimit të Vjosa Osmanit.

Një letër e inicuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për Këshillin e Përgjithshëm, e ku në të kërkohet shkarkimi i Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese të partisë, ka vënë në pah dallimet në LDK, shkruan lajmi.net.

Disa figura, përfshirë edhe deputetë, tashmë kanë dalë kundër propozimit të kryetarit Mustafa, që Vjosa Osmani të mos jetë më nënkryetare e këtij subjekti.

Deputetët, Fatmir Rexhepi e Haxhi Avdyli tashmë publikisht janë deklaruar se kanë dhënë votën e tyre kundër përjashtimit të Osmanit.

Madje, Avdyli që është deputet i LDK-së nga Prizreni dhe i njohur për raportet e mira me Vjosa Osmanin, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të kryetarit të partisë Isa Mustafa.

“Ky person me manipulime dhe me ndryshme ka arritur të jetë në krye të LDK-së. Por me rëndësi është se qytetari i Kosovës dhe votuesi është me ne, ne vetëm atyre iu japim llogari”, iu drejtua Avdyli, Mustafës.

Kundër shkarkimit të Osmanit doli edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ai madje i ka dalë në mbrojtje Osmanit, duke thënë se LDK nuk e ka në praktikë që t’i përjashtojë njerëzit e vet.

Xhafer Tahiri voton kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese në LDK

Në lidhje me propozimin e vënë në Këshillin e Përgjithshëm kanë reaguar edhe disa struktura të vjetra të LDK-së.

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka thënë se situata me Vjosa Osmanin duhet të rishikohet sepse për të marrë një vendim të tillë duhet të diskutohet së pari në Këshillin e Përgjithshëm.

Sidoqoftë, në orën 19:00 pritet që edhe zyrtarisht të dihet rezultati i votimit të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët do të japin verdiktin përfundimtar në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe, tensionimi i situatës mes Osmanit dhe strukturave të vjetra të LDK-së, kishte ardhur pasi që kryeparlamentarja ishte shprehur haptaz kundër rrëzimit të qeverisë Kurti dhe formimit të qeverisë Hoti.