Lajme

Prezantohet projekti i urës 9 milionë euro që lidh Velipojën me Ulqinin, do të jetë gati për 18 muaj

Një urë që pritet të përfundojë për 18 muaj do të shkurtojë distancën mes Velipojës dhe Ulqinit. Sot në takimin e përbashkët mes kryeminsitrit Edi Rama dhe homologut të tij malazez, Dritan Abazoviç u prezantua edhe projekti i përbashkët, ku u bë me dije se do të kushtojë 9 mln euro dhe pritet të përfundojë brenda 18 muajve.

“Me projektin e urës se re do të kemi një distancë të shkurtuar 73 herë midis 2 vendeve. Ura do jetë 310 m me 3 harqe, është e kategorisë C1 do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat dhe do të ketë 2 korsi dhe pjesë të vendpushimeve, ura ka një lartësi që lejon kalimin nën të në rastin kur Lumi Bunë do të jetë i hapur për mjetet lundruese, jemi në fazën e përgatitjes. Brenda 2 muajve do të jetë gati projekti dhe më pas procesi i buxhetimit dhe i prokurimit do të kërkojë 6 muaj, deri në qershor 2023, dhe mund të përfundojë brenda 18 muaj, do kushtojë 9 mln euro”, tha kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Me batuta, kryeministri Edi Rama tha se nuk duhet të grinden se e kujt ishte ideja më e mirë, duke theksuar se ky është një shembull konkret se si funksionon Ballkani i Hapur.

“Ekipi ka punuar për alternativa të ndryshme, do sjellim projektin, njerëzit do të bëjnë një vlerësim të buxhetit, dhe kjo është diçka e mirë se nga ana juaj pala tjetër do të bëjë oponencën, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i kanë paratë, ata mund të transferojnë paratë pa kufizimin e rregullave buxhetore, le ta bëjmë pa humbur kohë. Po ndërtojmë rrugën turistike Shëngjin-Velipojë që do e bëjë rrugën nga Ulqini deri në Shëngjin shumë të shkurtër, zhvillim po, por edhe shumë komunikim që do të përmirësohet përmes kësaj, qytetarët të vijnë lehtësisht, jam shumë mirënjohës se ky është vizioni juaj, nxitja juaj ndaj, s’kemi pse zihemi ku ishte ideja, kjo është fryma e Ballkanit të Hapur, pres që t’ju vizitoj në Malin e Zi brenda korrikut dhe në gusht t’ju sjellim projektin”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Abazoviç tha kjo urë do të japë shumë efekte pozitive në marrëdhënien mes 2 vendeve. Abazoviç tha se projekti nuk duhet të zvarritet në mënyrë të tillë që të nisë në shtator zbatimi i projektit.

“Do e lehtësojë shumë qasjen e turistëve, kjo është mënyra se si do të zgjidhim trafikun pranë Shkodrës, duke qenë se një pjesë kamionëve do të kalojnë nga kjo urë, është shumë e thjeshtë dhe irracionale që nuk është bërë më parë se nuk është e vështirë për t’u bërë, do kemi efekte shumë pozitive në të dyja anët dhe ndërlidhsmëria e dy vendeve do jetë më e madhe, ura dëshmon që nuk jemi vetëm Ballkan i Hapur, por në një fazë të re se si i kuptojmë marrëdhëniet, se nuk do të përdoret vetëm nga Mali i Zi apo Shqipëria, por edhe nga të gjithë qytetarët që do vijnë te ne”, tha Abazoviç.

Ura, pritet të krijojë lehtësi jo vetëm për shqiptarët e malazezët, por edhe për turistët që do të vizitojnë dy vendet.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje