Lajme

Presidenti Thaçi kërkon përgjegjësi institucionale për vdekjen e 26 vjeçarit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar lidhur me vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilani që ishte karantinuar në Qendrën Studentore në Prishtinë.

Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit ndërsa, ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e tij dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor./Objektiv/

Postimi i plotë i Presidentit:

Jashtëzakonisht shumë tragjike humbja e jetës së të riut në Karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Humbja e jetës së këtij 26 vjeçari nga Gjilani na ka prekur tejmase të gjithëve, por kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike.

I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie.

Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor. HTH