Lajme

Presidenti Thaçi flet për katër ditët e intervistimit në Hagë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të flas sonte për katër ditët e intervistimit në Hagë. Ai ka paralajmëruar se në orën 20:00 do tu drejtohet qytetarëve.

“Të dashur qytetarë, Sonte, në orën 20:00, pas kthimit nga Haga, ju ftoj të ndiqni adresimin tim në Facebook dhe në media. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj të pakursyer! HTH”, shkroi Thaçi në Facebook.

Thaçi u rikthy mbrëmë nga Haga. Ai u prit në kufi në Morinë nga organizata të dala nga lufta e UÇK’së dhe qytetarë të shumtë.

Muajin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje