Lajme

Presidenti i Ukrainës i ashpër me SHBA-në: Shteti më i fuqishëm në botë po shikon nga distanca

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, publikoi një video-mesazh të ri të premten në mëngjes, duke bërë thirrje për rezistencë përballë sulmit rus dhe duke i kritikuar aleatët e vendit të tij për herë të dytë brenda pak orëve.

“Këtë mëngjes, ne po e mbrojmë vendin tonë vetë. Njësoj si dje, shteti më i fuqishëm në botë shikoi nga distanca”, tha ai në videon e publikuar në Facebook dhe, siç duket, iu referua Shteteve të Bashkuara.

“Rusia u godit me sanksione dje, për këto nuk janë të mjaftueshme për t’i larguar këta trupa të huaj nga toka jonë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes solidarizimit dhe vendosmërisë”, shtoi ai.

Presidenti Zelenskiy gjithashtu tha se populli ukrainas po vazhdon të rezistojë duke shfaqur heroizëm të vërtetë. “Armiku është ndalur në shumicën e drejtimeve. Ka luftime që po vazhdojnë. Ne nuk do të lodhemi”, tha ai.

“Në orën 4 të mëngjesit, forcat ruse vazhduan që të kryenin sulme me raketa në territorin e Ukrainës. Ata thonë se po i vënë në shënjestër vetëm objektet ushtarake, por këto janë gënjeshtra. Në të vërtetë, ata nuk dallojnë se në çfarë zona operojnë”, shtoi presidenti ukrainas.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje