Lajme

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi iu bashkua fëmijëve të kryeqytetit në futbollin e rrugës

Komuna e Prishtinës gjatë dy ditëve të kësaj fundjave ka organizuar eventin “Festivali i Pranverës”, i pari i këtij lloji, në të cilin është e përfshirë edhe Federata e Futbollit e Kosovës me disa aktivitete të futbollit për fëmijë.

Ky event po mbahet në pjesën qendrore të kryeqytetit në bulevardin “Xhorxh Bush”, afër Katedrales “Nëna Terezë”, e cila është shndërruar në hapësirë të dedikuar për rekreacion për qytetarët përmes muzikës, artit e sportit.

Ky event ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë përmes zgjidhjeve kreative ekomobile duke iu ofruar mundësinë qytetarëve të përjetojnë udhëtimin përmes transportit alternativ të integruar gjithëpërfshirës e të shëndetshëm (biçikleta, trotinet, skateboard), por edhe hapësira për më shumë aktivitete sportive.

E këtë event me praninë e tij, sot, e ka nderuar edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, teksa të pranishëm kanë qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i sportit, Granit Rugova. Presidenti Ademi iu bashku fëmijëve të kryeqytetit në lojën e futbollit në rrugë, teksa u shpreh i lumtur që në partneritet me komunën, këtë fundjavë fëmijëve po u jepet mundësia të shijojnë kënaqësitë e lojës së futbollit në këtë pjesë të kryeqytetit.

Presidenti Ademi theksoi se FFK është duke punuar me përkushtim të madh që fëmijëve në çdo trevë të vendit t’iu krijojë kushte sa më të volitshme për ta zhvilluar aktivitetin e tyre në futboll, teksa rikujtoi se pjesë e programit të tij në mandatin e ri është pikërisht edhe zhvillimi i futbollit spontan (futbollit të rrugës), ngase siç tha ai, pikërisht nga futbolli i rrugës kanë dalur shumë talente, të cilat më vonë kanë qenë yje të futbollit. “Festivali i Pranverës” do të vazhdojë të organizohet çdo vit dhe ka për qëllim promovimin e lëvizjes së lirë. /Demokracia.com


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?