Preket edhe ky sektor nga Covid-19
Rreth 15 punëtorë të stacionit të autobusëve në Prishtinë pritet t’i nënshtrohen sot testit për koronavirus.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i stacionit të autobusëve në Prishtinë, Luan Hoti i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
“Një pse e stafit të administratës do të shkojnë të bëjnë testin në IKSHPK. Jemi duke i marr të gjitha masat që të bëjmë identifikimin. Rreth 15 kolegëve të mi sot do të testohen. Jam mirë për momentin, jam në terapi sipas institucioneve shëndetësore, me paracetamol, vitamin C dhe antibiotik. Të premten kam pas probleme me fyt kam menduar që është për faj të klimës. Të shtunën dhe të dielën kam qenë në pushim në Shqipëri. Të dielën edhe bashkëshortes time iu paraqiten simptoma të njëjta. Pasi kolegët e bashkëshortes ishin diagnostifikuar pozitiv me këtë virus, atëherë vendosëm të ktheheshim nga Shqipëria dhe shkuam tek doktori. Pasi bëmë testin dolëm pozitiv të dy”, tregoi Hoti.
Edhe pse gjatë gjithë kohës siç tha ai i ka zbatuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por prapë se prapë u infektuar me virus.
“Në fakt nga 18 maji i kemi vendos masat e rrepta sipas institutit dhe kemi pas maska, kemi mbajt distancë, edhe pse kemi marr masat prapë jemi infektuar. Tash jemi me terapi deri sa të kaloj kjo. Sot i presim rezultatet për dy fëmijët që i kam”, tha Hoti për RTV Dukagjinin.
Ai po ashtu tregoi se stacioni i autobusëve është duke punuar me kapacitet të limituara dhe se gjendja ekonomike e tyre nuk është e mirë.
“Jemi duke punuar me kapacitet të limituara, po ashtu edhe transportuesit nuk kanë udhëtare siç kanë pas më herët. Më shumë kemi humbje. Besoj që një ditë do të këndellemi të gjithë, por kam frikë që kjo do të zgjas më shumë se që e kam paramenduar. Që nga 13 marsi ne e kemi ndalu funksionim tonë”, tha ai.