Lajme

Policia shqipton mbi 15 mijë gjoba trafiku

Policia e Kosovës, konkretisht njësitet policore të stacioneve të Prishtinës, kanë ndërmarrë sot një aksion për lirimin e trotuareve nga veturat e parkuara.



Një aksion i tillë është zhvilluar edhe në rrugën “Adrian Krasniqi”, ku veturave që kanë qenë të parkuara në trotuare u është vendosur tiketa që pronarët e tyre duhet në mënyrë obligative të paraqiten në Stacionin e Policisë Qendra.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, ka thënë se aksioni i policisë është në kuadër të planit për lirimin e trotuareve.

“Siç ju kemi njoftuar edhe më herët nga data 10 qershor 2019 kur ka filluar implementimi i planit për lirimin e trotuareve dhe deri në këtë faze vetëm në rajonin e Prishtine janë shqiptuar mbi 15.260 gjoba trafiku për parkime ilegale. Masa të shumta ndëshkuese (gjoba dhe konfiskime), janë ndërmarrë si në drejtim të përballimit të fluksit të lëvizjes së mjeteve, ashtu edhe në përballimin e lëvizjes së këmbësorëve, në qytet ashtu edhe jashtë tij”, tha ai.

Hoxha tha se bazuar në ankesat e qytetarëve për bllokimin e trotuareve në qytet, njësitet policore të stacioneve të Prishtinë, që nga data 10 qershor 2019, kanë filluar implementimin e planit operativ, ekskluzivisht i paraparë për pastrimin e trotuareve nga parkimet e ndaluara.


Ai tha se plani do të ketë shtrirje në të gjithë hapësirën rrugore të kryeqytetit dhe toleranca për kundërvajtësit do të jetë zero.

“Të gjitha veturat që do të hasen të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, do të kenë njoftimin zyrtar për paraqitje të obligueshme në stacion policor, ku palës do t’i shqiptohet gjobë për kundërvajtje. Duke ju rikujtuar se qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, kërkojmë te të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të zbatojnë me përpikëri normat dhe rregullat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor”, tha ai./Gazeta Sinjali/