Lajme

Policia bastisë shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen në AKI

Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e sotme të Isa Sejdiut në ndërtesën e AKI-së.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se në bastisje janë gjetur një revole me 25 fishekë. Arma e gjetur ishte pa leje.

Bastisja ka ndodhur në Breg të Diellit, në rrugën “Qamil Bala”.

I dyshuari, Valon Ibërdemaj është arrestuar pak minuta pas vrasjes të shokut të tij në orët e para të ditës së sotme.

Kujtojmë se Agjencia Kosovare Inteligjencës është deklaruar lidhur me vrasjen që ndodhi mëngjesin e sotëm brenda objektit të së njëjtës agjenci.

AKI ka konfirmuar se viktima në fjalë ishte punëtor i bufesë dhe se ndërroi jetë në QKUK pasi nuk arriti t’i rezistojë plagëve të marra.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet nga AKI.

Gjithashtu është bërë e ditur se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së.