Lajme

Përmbysja e madhe në Prishtinë

Përparim Rama i LDK-së është kryetar i ri i Prishtinës, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së të balotazhit për të parin e kryeqytetit.

Kandidati i LDK-së, një muaj pas rundit të parë të zgjedhjeve ku u radhit i dyti me 25 mijë e 252 vota (29,17%), në balotazh me Arben Vitinë e LVV-së arrit ta përmbysë rezultatin, duke u rritur për 15 mijë e 407 vota më shumë.

Përparim Rama, në votimet e së dielës doli me 40 mijë e 659 vota, përkthyer në përqindje 51,07%, duke u bërë kështu fitues i balotazhit për Prishtinën, në përballjen me kandidatin e LVV-së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ky i fundit, rezultoi se për një muaj ka arritur që për balotazh ta rrisë numrin e votuesve në vetëm 2140 vota më shumë sesa në rundin e pare.

Vitia në zgjedhjet lokale të para një muaji doli i pari me 36 mijë e 818 vota (42,54%), që nuk ishin të mjaftueshme për tu zgjedhur kryetar më 17 tetor 2021, shkruan Reporteri.net. Derisa, në balotazhin e së dielës ai siguroi 38 mijë e 958 vota (48,93%). Rezultat ky që e radhiti të dytin, duke i humbur kështu zgjedhjet, për t’ia kthyer LDK-së me kandidatin Përparim Rama kryeqytetin pas 8 vitesh.

Diferenca e Vitisë me Ramën në rundin e parë ishte 11 mijë e 566 vota, derisa në balotazh Rama përmbysi gjithçka duke i dalë para 1702 vota, sipas rezultateve preliminare të 14 nëntorit.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?