Lajme

Përkeqësohet situata me Covid-19 në Shqipëri, shënohet rekordi i zi i rasteve ditore

Edhe dita e sotme vazhdon me një numër të lartë të prekurish dhe vdekje nga Covid-19 në vendin e Shqipërisë

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orët e fundit janë shënuar 311 raste të reja ditore.

Ndërkohë, 6 pacientë nuk kanë mundur që të fitojnë dot luftën me virusin, duke  e çuar numrin e viktimave në 493.

Numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë llogaritet në 20,004, ndërsa ata aktivë janë 8,618 raste.

Raste dhe teste – Në 24 orët e fundit të COVID19 në Shqipëri: Janë kryer 1378 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 311 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:

100 raste në Tiranë, 66 në Fier, 32 në Durrës, 17 në Mallakastër, 14 në Vlorë, nga 11 raste në Lushnje, Berat, nga 10 raste në Pogradec, Skrapar, 8 në Roskovec, 7 në Peqin, 4 në Elbasan, 3 në Lezhë, nga 2 raste në Korçë, Mirditë, Gjirokastër, nga 1 rast në Krujë, Kurbin, Devoll, Kukës, Tropojë, Librazhd, Tepelenë, Divjakë, Gramsh, Maliq, Patos, Poliçan.

Shërime – Janë shëruar 85 qytetarë, duke e çuar në 10,893 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Në spitale – Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 289 pacientë, 11 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Vdekje – Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 53 vjeçar nga Fieri, një 59 vjeçar dhe një 61 vjeçare nga Prrenjasi, një 61 vjeçar nga Korça, një 65 vjeçare nga Tirana, një 80 vjeçar nga Elbasani me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për të mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.