Lajme

Përfundon takimi në mes të kryetarit të LDK-së e VV-së, s’ka marrëveshje

Ka përfunduar takimi në mes të kryetarit të LDK-së e VV-së, mirëpo nuk është arritur marrëveshje për koalicion qeverisës, shkruan Gazeta Express.



Pas takimit ka folur para mediave, lideri i VV-së, Albin Kurti, derisa deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në kontakt me të parin e LDK-së, Isa Mustafën.

“Kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mundë ta shpalosim gjerë e gjatë, përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës që të vazhdojmë më tutje drejt marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në anën tjetër, pas takimit me Kurtin tha se patën një takim përmbajtjesor, mirëpo nuk u dakorduan në disa çështje. Ai konfirmoi se me VV-në kanë dallime.

“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshëm katërvjeçar. Natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës, kemi edhe çështje të tjera që i kemi diskutuar sot për të cilat do të punojmë për të arritur përafrim. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur t’i përafrojmë”, ka thënë ai.