Lajme

Përfundon rundi i dytë i takimit trepalësh

Delegacioni i Serbisë është larguar nga ndërtesa ku janë mbajtur takimet në Bruksel, në kuadër të dialogut me Kosovën.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se delegacioni i Serbisë ka “luftuar” për zgjidhje kompromisi, raporton REL.

Ai deklaroi për mediat se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojë edhe një kohë në Bruksel dhe se nesër, me t’u kthyer në Beograd, do të ketë një nga fjalimet, siç e cilësoi ai, më të rëndësishme për publikun.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë më herët gjatë ditës përfunduan takimet e ndara dypalëshe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Pas këtyre takimeve, pritej që të mbahej edhe një rund i ri trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Pak pas orës 10:30, Kurti dhe Vuçiq zhvilluan rundin e ri të bisedimeve, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.