Lajme

Përfundon mbledhja ceremoniale e Qeverisë së re

Ka përfunduar mbledhja e parë e Qeverisë së re, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeministri i sapozgjedhur, Albin Kurti, ka mbledhur në takim ministrat dhe zëvendëskryeministrat e tij në ditën e parë të punës në krye të ekzekutivit.

Ai para kabinetit të tij tha që pret urgjent planin për menaxhimin e pandemisë po ashtu edhe planin për ringjallje ekonomike.

“Urime për mandatet që keni marrë secili prej jush, ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë. Po e fillojmë këtë mbledhje ceremoniale, jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Duhet të veprojmë më urgjencë që të ulim rastet dhe të eliminojmë vdekjet e reja si rezultate i Covid-19. Do të punojmë si ekip por rezultati varet nga puna e secilit prej jush. Qytetarët presin punë dhe angazhim, përfaqësim të dinjitetshëm. Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vijë më propozime konkrete. Pres që në tavolinën time të vijë urgjent plani për menaxhimin e pandemisë po ashtu edhe plani për ringjallje ekonomike. Le t’i përvjelim mëngët dhe të fillojmë punët e mëdha që na presin. Urime e suksese për të gjithë na priftë e mbara”, tha Kurti.

Kurti u zgjodh kryeministër në seancën e djeshme të Kuvendit me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Qeveria Kurti 2 do të ketë 15 ministri, nga ta 8 anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kabinetit të prezantuar nga Albin Kurti, 5 ministri do të drejtohen nga gratë

Kabineti qeveritar do të jetë si në vijim:

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla; Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicatve dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi; Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia; Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë do të jetë Arbërie Nagavci; Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë Hajrulla Çeku; Ministër i Administrimit Lokal do të jetë Elbert Krasniqi; Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të jetë Liburn Aliu; Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Faton Peci; Ministër i Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj; Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla;; Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli; Ministër për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq dhe Ministër për Zhvillimin Rajonal është Fikrim Damka./Gazeta Sinjali/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?