Lajme

Përfaqësuesit e grupit “Pro tërheqjes 30% të Trustit” sot takohen me Konjufcën

Organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit sot do të dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.

Njoftimi është bërë nga Adnan Jashari, përfaqësues i grupit “PRO TERHEQJES 30% TË TRUSTIT“, grup nga ku janë organizuar edhe protesta po për çështjen e njëjtë.

“Neser e premte, 15.07.2022, në ora 10:00 bashkë me të gjithë vullnetarët e angazhuar për mbledhjen e nënshkrimeve takohemi para Kuvendit të Kosovës dhe solemnisht dorëzojmë nënshkrimet e mbledhura”, ka shkruar Jashari në facebook.

I pyetur në lidhje me aktivitetin e sotëm, Jashari tha për Insajderin se pas dorëzimit të nënshkrimeve të grumbulluara në Kuvend, përfaqësuesit do të takohen edhe me kryekuvendarin, Glauk Konjufca.

Përfaqësuesi i grupit tha se Konjufcës do ia dorëzojnë formën e projektligjit për riprocedimin e projektligjit për Trustin.

“Ne orën 10:00 se bashku me disa prej vullnetareve qe na kane ndihmuar ne grumbullimin e nënshkrimeve për Peticionin e Trustit do t’i dorëzojmë nënshkrimet ne Kuvend te Kosovës! Ndërsa në orën 13:00 takohemi me Kryetarin e Kuvendit te Kosovës z.Glauk Konjufca dhe ia dorëzojmë formën e projektligjit për riprocedimin e projektligjit për Trustin.

Në anën tjetër, ai tha se presin që kësaj radhe deputetet e Kuvendin të votojnë pro Projektligjit pasi nisma u bë nga qytetarët e jo nga partitë opozitare.

Ndërkaq, ata kërkojnë që gjithashtu të mos ketë zgjatje të procedurave pasi kërkesa është urgjente.

“Presim qe kësaj radhe deputetet e Kuvendit te mos hezitojnë te votojnë pro Projektligjit pasi nisma legjislative është prej qytetareve dhe jo prej ndonjë partie opozitare. Gjithashtu presim qe Kuvendi dhe Qeveria mos te i zgjasin procedurat për riprocedim sepse kërkesa është urgjente si shkak i gjendjes se renduar me çmimet e larta te produkteve. Kriza ne shtator pritet te jete edhe me e madhe prandaj nuk ka arsye për vonesa dhe mosvotim te projektligjit qe lejon tërheqjen e kursimeve deri 30%”, tha Jashari për Insajderin.

Kujtojmë se ishte Partia Demokratike e Kosovës si subjekti më i madh opozitar që bëri këtë propozim më 9 mars të këtij viti.