Lajme

Për një muaj, rreth tre mijë kosovarë me coronavirus hynë në Gjermani

Në Gjermani, plot 2946 mërgimtarë tanë pas rikthimit nga pushimet në Kosovë, është konstatuar se janë infektuar me coronavirus.

Kështu së paku ka bërë të ditur raporti më i ri i institutit gjerman “Robert Koch”, i cili merret me përcjelljen e rasteve me COVID-19, Kosova është vendi më i përmendur si shtet i mundshëm i ekspozimit.

“Kur janë në pyetje grupmoshat e ndryshme (që nuk janë shfaqur), vlen të përmendet se midis rasteve me të dhëna nga Kosova dhe Turqia, Rumania dhe Shqipëria, fëmijët dhe personat e moshës së mesme janë të mbi përfaqësuar, gjë që tregon për udhëtim të mundshëm si familje”, shkruhet në raportin më të ri të “Robert Koch” të javëve 32 deri 35.

Ndërkohë, pas Kosovës, në vendin e tretë është Kroacia me 2.639 raste, Turqia me 1.825 dhe Bosnja-Hercegovina me 695.

Pasi që fillimisht numri i të infektuarve dhe të vdekurve ka qenë relativisht i ulët krahasuar me shtetet e tjera evropiane, numri i rasteve të reja në Gjermani është rritur jashtë mase gjatë javëve të kaluara, duke shtuar shqetësimin për një valë të dytë.

Ndryshe, Gjermania ka raportuar mbi 247 mijë raste me virus gjersa kanë ndërruar jetë 9385 persona.