Lajme

Pensionistët nuk i marrin pensionet me rritje

Vonesat në votimin e buxhetit për vitin 2019, ka nisur t’i sjellë problemet e para.

Qeveria e Kosovës tek të premten pasdite, me tri ditë vonesë ka arritur t’i sigurojë paratë për të paguar 16 kategori të pensioneve që ekzistojnë në Kosov.

Burime të KTV-së brenda qeverisë, kanë thënë se paratë janë marrë nga projektet e papërfunduara të linjave të ndryshme buxhetore nga viti 2018.

Por, pensionistët nuk i morën pensionet me rritje nga 15 deri në 30%, siç ishte vendosur.

Në Institutin Demokratik të Kosovës vlerësojnë se tërheqja e parave nga buxheti i vitit të kaluar pa vendim, nuk është në përputhje me ligjin.

Përveç janarit, probleme pritet të ketë edhe në muajin e ardhshëm, pasi qeveria nuk është e sigurt që buxheti mund të kalojë deri më 31 janar në Kuvend.

Në mbledhjen e 11 janarit, Qeveria ka dërguar kërkesën në Kuvend për zgjatje të ndarjes buxhetore të vitit të kaluar, por që i njëjti ende nuk është miratuar, si pasojë e mosfillimit të punës nga Kuvendi i Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka treguar se kur do të dalë në votim buxheti.
Qeverisë Haradinaj i ka mbetur edhe një kusht i parealizuar nga Partia Social Demokrate për t’i siguruar votat për buxhetin, e që është shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Megjithëkëtë, me ndarjet buxhetore të mundësuara përmes Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, qeveria mund t’i kryejë vetëm shpenzimet e pagave.
Derisa zgjatja e buxhetit nga viti 2018, mund të bëhet vetëm deri në muajin mars.