Lajme

PDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për rimëkëmbjen ekonomike: Propozon mbi 400 milionë euro

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në Kuvend.

Ushtruesi i detyrës kryetari të PDK-së, Enver Hoxhaj përmes një konference pë media ka bërë të ditur se do të iniciojnë një seancë të jashtëzakonshme ku presin se do të kalojë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Sot kemi pasë një mbledhje të gjatë të partisë. Sot si kryesi kemi debatuar se si ta ndihmojmë vendin. Kemi kërkuar për muaj që të gjitha partitë të ulen dhe ta riadresojmë çështjen e rimëkëmbjes ekonomike, Kjo pako ka dështuar për muaj të tërë. Sot PDK do të inicojë seancë të jashtëzakonshme sa i përket Ligjit ku presim që edhe partitë tjera duhet ta votojnë ngase është në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së.

Hoxhaj tha se seanca pritet të mbahet të premten.

“Propozimet tona janë ndihma konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe kapin shumën mbi 400 milionë euro. Për këtë qëllim, PDK do të inicioj një seancë të jashtëzakonshme këtë javë, ku ligji për rimekembje ekonomike do të votohet dhe qytetarët e bizneset do të marrin ndihmat e nevojshme për ta përballuar më lehtë krizën ekonomike që ka kapluar vendin”, ka thënë Hoxha.

Ky projektligj është votuar në lexim të parë vetëm në tentimin e shtatë, më 12 tetor. Që nga atëherë nuk është kthyer para deputetëve për votim në lexim të dytë, pasi Qeveria si sponsorizuese, nuk i kishte votat.

Sot gjatë ditës, Komisioni për buxhet ka miratuar katër amandamente të propozuara nga PDK-ja për përfshirje në Projektligjin për rimëkëmbje.

Kjo ka bërë që PDK-ja të ndryshojë qëndrim, pasi deri më tash nuk e ka përkrahur atë.

“Kemi pasur koordinim me Qeverinë dhe jemi që seanca të thirret të premten dhe të jenë edhe këto 4 pika në pakon e rimëkëmbjes”, ka shtuar Hoxhaj.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?