Lajme

PDK gjobitet me mbi 100 mijë euro

Rreth 360 mijë euro gjoba janë shqiptuar ndaj partive politike për shkelje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor. Partia e cila prinë me shumën më të madhe të gjobës është Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq LDK radhitet e dyta në këtë listë.

Mul Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Pareshtresa (PZAP), thotë se lidhur me shkeljet e ndryshme janë adresuar 355 ankesa.

“Deri më tani për gjithë procesin zgjedhor kemi pranuar në PZAP, apo subjektet politike edhe OJQ-të kanë parashtruar në PZAP gjithsej 355 ankesa. Prej tyre 269 janë ankesa, ndërsa 86 janë apele. Apelet janë shqyrtuar para fillimit të fushatës zgjedhore, dhe të gjitha palët kanë marrë përgjigjet e tyre. Derisa ankesat për heshtjen zgjedhore janë shqyrtuar dhe gjitha palët kanë marrë vendimet lidhur me këto ankesa. Ndërsa, kanë mbetur pa shqyrtuara janë në procedurë të shqyrtimit dhe vetëm ankesat, të cilat janë dorëzuar gjatë ditës së djeshme që i referohen ditës së zgjedhjeve. Do të thotë vetëm 22 ankesa janë në procedurë të shqyrtimit”, thotë Desku.

Desku tregon edhe për gjobat të cilat janë shqiptuar për partitë politike gjatë fushatës zgjedhore, derisa thekson se PDK prinë me shumën më të madhe të gjobave.

“Deri më tani për shkeljet që janë vërtetuar nga paneli, janë gjetur përgjegjëse subjektet politike për ato shkelje, paneli ka shqiptuar gjoba në përgjithësi, në vlerë prej 359 mijë e 550 euro. Më së shumti është gjobitur Partia Demokratike e Kosovës me 100 mijë e 100 euro, LDK me 74.400 euro, LVV me 14.100, Lista Serbe me 36.500, koalicioni AAK-PSD me 89.600 euro, NISMA-AKR-PD 33.100 euro”, thekson ai.


SHIKO EDHE: A JENI INFEKTUAR ME COVID-19