Lajme

Pasi u morën ngryk me Ramën në Tiranë, flet Haradinaj: Ky është komenti i tij për padinë e mëhershme

Dita e sotme u karakterizua nga një takim shumë i komentuar ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.

Bazuar në marrëdhëniet jo fortë të mira e përplasjet e shumta viteve të kaluara, secili takim i dy liderëve përcillet me diskutime në opinionin publik.

Në kohën kur Haradinaj ishte shef i Qeverisë së Kosovës, përplasjet shpesh me gjuhë të ashpër me Ramën ishin bërë zakon.

Madje kjo marrëdhënie e tensionuar përfundoi me një padi të kryminsitrit Rama ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, duket se raportet dikur të acaruara, tashmë i takojnë të kaluarës.

Këtë të marte, Haradinaj u prit në takim në kryeministri nga i pari i Qeverisë së Shqipërisë.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Nacionale, Haradinaj shpjegon se si erdhi deri tek takimi i sotshëm shumë i përfolur me Ramën.

“Kohë më përpara ishte për vizitë në Kosovë dhe në atë rast ai më ftoi në takim. Kur ishte në Kosovë, m’ka bo një ftesë. Grupi parlamentar kishte bërë një përgatitje, të një vizite e takimi me grupe. Isha edhe te kryeministri në takim, na priti edhe në drekë. Do të vazhdojmë në takime edhe kryetarin e Bashkisë dhe po ashtu me Princin Leka. Kjo është vizita”, tha Haradinaj për Nacionale.

I pyetur për marrëdhëniet dikur të acaruara e për padinë e Ramës ndaj tij, Haradinaj ka thënë se ato i takojnë tashmë të kaluarës pasi që “dy vendet po kalojnë në një periudhë të vështirë”.

“Kam qenë i informuar që para një kohe është tërhequr padia dhe ato i kam pa si çështje të kaluara, të së kaluarës. Sepse nuk dëshirojmë me i vonu proceset që i kemi para vetes dhe situatat e vështira që i kalonë populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë”, theksoi Haradinaj.

Por, Haradinaj e shmangu përgjigjen nëse është ‘pishman’ për ndonjë fjalë të thënë për Ramën gjatë kohës sa marrëdhënia e tyre ishte e tensionuar.

“Po të jap një përgjigje me no comment. No comment”, ishte i shkurtër deputeti Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës i tregoi Nacionales se çfarë biseduan me kreun e ekzekutivit shqiptar.

“Ne sot e diskutuam që është tepër me rëndësi që të shkurtohen burokracitë dhe të vendosim komunikim direkt për shumë tema, sepse është një kohë e krizës, të artikujve të ndryshëm. Është kohë e krizës energjetike, Shqipëria na ndihmojë me energji. Pra i kërkova që të bëjmë çmos që të ndihmohemi reciprocikisht. Njëkohësisht i kërkova ndihmën për NATO, për përkrahje drejt NATO-s nga Shqipëria”, deklaroi Haradinaj.

Por, në takim, sipas Haradinajt, është folur edhe rreth iniciativës së Open Balkan, e cila ishte kritikuar shumë nga i pari i AAK-së.

Ndonëse janë pajtuar me njëri-tjetrin, Haradinaj rithekson kritikat e tij për Ballkanin e Hapur duke potencuar se çfarëdo iniciative rajonale duhet të projektohet mbi njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

“Edhe sa i përket iniciativave rajonale sikurse është ajo e Ballkanit të Hapur, kërkova që te çdo iniciativë rajonale të projektohet që si çështje të parë të jetë njohja reciproke Kosovë-Serbi. Psh kemi qenë dhe jemi pro Procesit të Berlinit. Nuk kundërshtojmë këto iniciativa, por për të marrë pjesë në këto iniciativa mundemi vetëm kur të njihemi reciprokisht me Serbinë në kufijtë ekzistuese. Ne nuk po e përjashtojmë iniciativën, por po kërkojmë që së pari të ndodh njohja”, shtoi i pari i AAK-së.

Haradinaj thotë se dy Qeveritë shqiptare mund të bëjnë më shumë për të lehtësuar marrëdhënien ndërmjet dy vendeve.

“Kemi shumë më shumë nevojë për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, procedura më të shpejta e më të shkurtra. Pa thënë se është e keqe marrëdhënie tash ndërmjet dy vendeve, po them që mund të bëhet më shumë dhe pres që të bëjnë më shumë”, tha Haradinaj.

Ndryshe, marrëdhënie ndërmjet Haradinajt e Ramës ishte tensionuar shumë gjatë një takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Atëbotë Rama akuzonte Haradinajn se i kishte lënë kosovarët pa viza për shkak të këmbënguljes së tij për taksën ndaj mallrave serbe.

Ndërsa Haradinaj deklaronte se është i detyruar të mbrojë tokën e Kosovës nga ‘vëllai i tij Edi Rama”.

Haradinaj e Rama ishin përplasur edhe rreth idesë së korrigjimit të kufijve, e cila përkrahej nga ana e ish presidentit Hashim Thaçi.

E përplasja ndërmjet dy politikanëve shqiptar, përfundoi me padinë e Ramës ndaj Haradinajt për shpifje, e cila në verën e vitit 2020 u tërhoq nga lideri i Partisë Socialiste.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje