Lajme

Pasi e krijoi Tribunalin Special, Presidenti Thaçi i qeras me kafe dy të ftuarit e parë

Dikur lobuesi më i madh për krijimin e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi, sot i ka qerasur dy nga lista e të parëve që janë ftuar nga kjo gjykatë, Sami Lushtakun dhe Rrustem Mustafën.Pasi bënë homazhe pranë shtatores së dëshmorit Zahir Pajaziti, Presidenti Thaçi është parë në një nga kafiteritë e kryeqytetit bashkë me dy ish-komandantë të UÇK’së nga Drenica e Llapi.



Dy anëtarët e kryesisë së PDK’së, Lushtaku e Mustafa, janë të në mesin e të ftuarve të parë për intervistim nga Gjykata Speciale nën dyshimet për krime të luftës.

Siç, duket Presidenti Thaçi, i cili këmbëngulte që të votohej Gjykata Speciale nga deputetët e Kosovës, ka vendosur t’i relaksojë ata pak para se të nisen në zyrën e Speciales.Thaçi edhe pak ditë më parë u ka dhënë gajret ish-bashkëpunëtorëve të tij që pritet të gjykohen në Hagë.

Me anë të një postimi në Facebook, Presidenti u ka bërë thirrje që të dorëzohen para Gjykatës Speciale, ashtu që, sipas tij, të dëshmohet lufta e pastër e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale është themeluar në prill të 2014’ë pas një raporti të hartuar nga senatori zviceran Dick Marty, i cili i implikonte ish-udhëheqësit e UÇK’së në krime të luftës e të pasluftës.Ishte emëruar prokurori Clint Williamson për t’i hetuar këto pretendime derisa kishte thënë se ka material për ngritjen e dhjetë aktakuzave.


Ndërkaq Thaçi ka pasur qëndrime të ndryshme rreth këtij institucioni që është krijuar me bazë nga raporti i senatorit zviceran Dick Marty.

Një vit më parë, në një nga ditët e fundit të dhjetorit të 2017’ës, Thaçi në orët e mbrëmjes kishte vendosur ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, përmes deputetëve të pushtetit.

Funksionimi i Speciales ka nisur tash me dërgimin e ftesave për të dyshuarit dhe dëshmitarët e proceseve që pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.