Lajme

Pasi administrata Biden u dëshpërua me Kurtin, godet Grenell: Rusia duhet të jetë e kënaqur

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur sot pakënaqësitë dhe zhgënjimin e tyre me Qeverinë e Kosovës, e cila ka refuzuar kërkesën për ta shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat.

Ish-emisari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke thënë se ‘rusët duhet të jenë të kënaqur me Kurtin’. ‘Ruset duhet të jenë shumë të kënaqur tani me Albin Kurtin’, ka shkruar Grenell në Twitter.

Zhgënjimi i ShBA-së
Fillimisht u publikua një komunikatë për media në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit, e më pas doli edhe një deklaratë e sekretarit Antony Blinken, ku shprehej haptas zhgënjimi me Qeverinë e Kosovës.

Këtyre të fundit, u është kërkuar vazhdimisht që ta shtyjnë vendimin për targat, derisa sot dolën me një plan rreth targave që përmbante tri masa.

Në komunikatën e DASh-it, Kurtit i kërkohej edhe një herë që të zgjasë afatin për zbatimin e vendimit për targat.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.

Deklarata, e cila është e ngjajshme me atë që e dha Blinken për The Pavlovic Today, vijon duke shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e SHBA-së në lidhje me refuzimin e kësaj kërkese.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.

Telefonata e së enjtes – Kurti fshehu disa detaje
Mbrëmjen e së enjtes u konfirmua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një telefonatë me Derek Chollet, këshilltar Special në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Kryeministri i Kosovës u mundua të fsheh atë që u diskutua në këtë bisedë, por detajet kryesore i bëri të ditura Chollet.

Ky i fundit, në Twitter tha se kanë diskutuar për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa.

“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Chollet.

Kurti ndërkaq, tregoi veç aq sa deshi ai, duke thënë se folën për “mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën” dhe disa çështje të tjera që nuk kishin të bënin me vendimin për targat.

“Sot fola me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për integrimin euroatlantik. Siç tregohet në @TheWJP Raporti i vitit 2022, Kosova duke u renditur si e para në WB6 dhe i dyti më i përmirësuar në nivel global, ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon krah për krah me paqen, sigurinë dhe demokracinë”, shkroi Kurti.

Vlen të theksohet, se javën e kaluar edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se gjatë vizitës që pati në Kosovë kërkesë krysore, ishte shtyrja e këtij vendimi.

Ai e bëri të qartë se ky ishte rekomandim i SHBA-së dhe se “rekomandimet duhet të dëgjohen”.

LEXO EDHE:  E rëndë: 30-vjeçarja në Ferizaj që tenton t’i japë fund jetës, i dërgon bashkëshortit fotografi të litarit