Lajme

Paralajmëron pulmologu, rastet me COVID-19 pritet të rriten në vjeshtë

Me rënien e temperaturave dhe fillimin e stinës së vjeshtës, në Kosovë po paralajmërohet të rritet edhe numri i të infektuarve me virusin Corona.

Sipas ekspertëve shëndetësor kjo do të jetë koha ku do të nis edhe përhapja e viruseve tjera sezonale që pritet ta karakterizojnë këtë periudhë kohore.

Kështu vlerësoi për gazetën Objektiv, pulmologu i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Flamur Marku.

Nisur nga trendët e viteve të kaluara, ai supozon se fundi i muajit shtator dhe fillimi i tetorit priten të jenë muajt kur do të nisin të shfaqen këto viruse.

“Për çdo vit në vjeshtë ne jemi përballur edhe me viruse tjera. Besoj që ka me u rrit numri i rasteve të të prekurve prej viruseve dhe problemeve me mushkëri. Sipas trendeve botërore që po ndjeken, besoj se edhe në do ta përjetojmë të njëjtën rritje të rasteve edhe pas hapjes së shkollave”, tha Marku.

Krahas kësaj, pulmologu thotë se janë të përgatitur edhe për një valë tjetër të të infektuarve me Coronavirus dhe të prekurve me viruse tjera.

“Ne kemi kapacitet të mjaftueshëm, kemi staf të mjaftueshëm si dhe mjekë të ri që kanë ardhur përmes konkursit të fundit të MSh-së, jemi shumë mirë të kompletuar si staf dhe kemi kapacitet të mjaftueshëm”, bëri të ditur mes tjerash ai.

Ai ka folur edhe për pacientët e prekur me coronavirus që aktualisht po marrin trajtim në Pulmologji.

Sipas tij, janë rreth 18 pacientë që po marrin trajtim në Klinikë, derisa 56 të tjerë, shumica prej tyre po presin për rezultatet e testimit për këtë sëmundje.

“Gjendja e pacientëve pozitiv me Covid-19, është stabile me përjashtim të 3 prej tyre që janë në gjendje më të rëndë. Mosha e këtyre tre pacientëve është mbi 60 vjeç”, tha Marku duke shtuar se kjo Klinikë ka aktualisht mbi 30 shtretër të lirë.

Ai theksoi se aktualisht nuk ka asnjë të infektuar nga stafi shëndetësor i kësaj Klinike.

“Staf nuk kemi aktualisht të infektuar. Kemi pasur 16 infermier dhe 7 mjekë të prekur, dhe tashmë janë shëruar dhe kanë filluar punën”, bëri të ditur Marku për Objektiv.

Problemet me furnizim me oksigjen, sipas tij, nuk e kanë prekur asnjëherë këtë Klinikë.

“Asnjëherë nuk kemi pasur telashe me oksigjen. Shumicën e dhomave ku po trajtohen pacientët i kemi me oksigjen qendror por edhe në dhomat ku përdoren bombolat e oksigjenit, stafi teknik është duke bërë punë të madhe. Që neve na ndihmon me i trajtuar këto raste”, ka deklaruar Marku./Objektiv/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje