Lajme

Paralajmërimi i Stoltenberg për luftën në Ukrainë: Ekziston rreziku që të shndërrohet në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin se luftimet në Ukrainë mund të dalin jashtë kontrollit dhe të shndërrohen në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s, sipas një interviste të trasnmetuar të premten.

“Nëse gjërat shkojnë keq, situata mund të përshkallëzohet më tej,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në komentet për televizionin norvegjez NRK.

“Lufta në Ukrainë është e tmerrshme dhe ekziston rreziku që të shndërrohet në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë,” tha ai. “Ne po punojmë çdo ditë për ta shmangur një gjë të tillë.”

Sekretari Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, tha në intervistë se “nuk ka dyshim se ekziston mundësia për një luftë më të madhe”, duke shtuar se ishte e rëndësishme të shmangej një konflikt “që do të përfshinte vende të tjera në Evropë.”

Kremlini ka akuzuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se janë bërë efektivisht një palë në konflikt duke i ofruar Ukrainës armë, duke trajnuar trupat e saj dhe duke ndihmuar me informacione zbulimi për të sulmuar forcat ruse.

Në komentet që pasqyrojnë tensione në rritje mes Rusisë dhe Perëndimit, Presidenti Vladimir Putin sugjeroi se Moska mund të mendojë për përdorimin e atij që ai e cilësoi si konceptin amerikan për një sulm parandalues.

“Nëse flasim për një goditje çarmatosëse, ndoshta ia vlen të mendohet për miratimin e ideve të zhvilluara nga homologët tanë amerikanë, idetë e tyre për të garantuar sigurinë e tyre,” tha ai.

Shumë përpara fillimit të agresionit në Ukrainë, Kremlini kishte shprehur shqetësimin për përpjekjet amerikane për të zhvilluar të aftësinë e Goditjes së Menjëhershme Globale që parashikon goditjen e objektivave strategjikë të një kundërshtari me armë konvencionale me precision të lartë kudo në botë brenda një ore./VOA