Lajme

Paralajmërim i frikshëm i meterologëve: Priten vërshime të shpejta, përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime në Kosovë, ku thuhet se reshjet do të vazhdojnë edhe ditëve në vazhdim.

Instituti thotë se do të ketë intensitet të reshjeve në disa zona, me mundësi të vërshimeve të shpejta, përmbytjeve urbane dhe rrëshqitje dheu. Kjo situatë meteorologjike do të përcillet herë pas here edhe me shkarkime rrufesh.

“Reshjet të cilat kanë filluar me intensitet më të lartë gjatë orëve të mëngjesit të datës 05/08/2020, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe të nesërme (06/08/2020) si dhe ditëve në vazhdim, me intensitet të ndryshuar, të cilat në disa zona mund të paraqesin mundësi për vërshime”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në njoftim thuhet se nëpër rrjedhat kryesore lumore do të ketë ngritje të lehtë të niveleve gjatë ditëve në vijim.

“Rrjedhat me karakter malor dhe ato të rrëmbyeshme do të paraqesin mundësi të vërshimeve të shpejta dhe vështirësi nëpër zonat/vendbanimet ku ato kalojnë”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/.