Lajme

Paralajmërim i frikshëm: “Bota në prag të luftës bërthamore”

Këtë herë lajmi vjen nga një prej zyrtareve më të larta të Organizatës së Kombeve të Bashkuara: Bota gjendet më shumë se kurrë më parë në prag të një lufte bërthamore!

Izumi Nakamitsu, shefja për `Çarmatimin` në OKB, e ka ngritur këtë alarm një intervistë për revistën gjermane “Spiegel”. Sipas saj mungesa gjithmonë në rritje e dialogut mes shteteve që posedojnë armë bërthamore, ka provokuar krijimin e një situate jashtëzakonisht të rrezikshme. Por ajo quan përgjegjëse kryesore të kësaj situate të rrezikshme dy fuqitë kryesore nukleare, SHBA dhe Rusi.

“Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore, i qëllimshëm apo aksidental, është më i larti që nga ditët më të errëta të Luftës së Ftohtë. Por rreziku më i madh është megjithatë keq-llogaritja. Pas krizës kubane të raketave më 1962, që e çoi botën në prag të luftës bërthamore, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik vendosën linja special komunikimi. Një faktor shumë i rëndësishëm tani është se ne nuk kemi më të njëjtat kanale dialogu për menaxhimin e rrezikut mes Moskës dhe Uashingtonit, veçanërisht në nivelin operativ. Mungesa e dialogut krijon një situatë shumë të rrezikshme”, deklaron ajo mes të tjerave në këtë intervistë.

Gjithashtu theksohet, se faktor rreziku në këtë lojë me zjarrin është edhe fakti se bota nuk është më bipolare dhe këtu në vështrim vijnë fuqi si Kina, India apo edhe vende me rritje të shpejtë si Brazili apo Meksika, ndërkohë që botës sot i mungojnë dokumentet detyruese ligjërisht në këtë drejtim.