Lajme

“Paniku është përhapur më shpejt se virusi”

Bujar Sopi punon si kryemjek i mjekësisë interne dhe i urgjencës në një klinikë të Cyrihut. Me prejardhje nga Bujanoci, ai në vitin 2006 ka mbaruar studimet e mjekësisë në Tiranë. Më vonë ka punuar si mjek në Graz të Austrisë, prej nga, pas disa vitesh ka kaluar në Zvicër ku është stabilizuar në profesionin prej mjeku.

Dr. Sopi në këtë intervistë për albinfo.ch flet lidhur me përvojat e tij si mjek i urgjencës, përvoja këto që lidhen edhe me paraqitjen e pandemisë së koronavirusit. Ai jep edhe disa këshilla se si duhet të mbrohemi nga ky virus i rrezikshëm.

Albinfo.ch: A mund të na rrëfeni për punën tuaj në spitalin Hirslanden Klinik Park, Zürich?

Dr. Bujar Sopi: Si kryemjek i Mjekësisë Interne dhe i Urgjencës në pavijonin e Urgjencës dhe Mjekësisë Interne në “Klinik im Park” Zürich filloj si zakonisht sipas planit mujor që na ndahet. Çdo ditë ballafaqohemi me pacientë që kanë probleme shëndetësore nga më të ndryshmet, qofshin ato internistike, kirurgjikale, traumatologjike etj. Për mua personalisht, profesioni më jep guximin, durimin dhe forcën për t‘ i ndihmuar pacientët që kanë nevojë për ta sqaruar një problem shëndetësor, sidomos tani, kur edhe më shumë kemi të bëjmë me pandeminë Covid-19. Gjëja e parë që bëjmë kur fillon puna është marrja e raportit mbi gjendjen aktuale në Urgjencë nga kolegët, si dhe raportimi i gjendjes aktuale lidhur me koronavirusin nga Task-Force që kemi në klinikën ku punoj e në veçanti nga Shefi i Urgjencës. Pastaj bëhet informimi i pacientëve të lajmëruar përmes rrugëve të ndryshme, si telefonike, mjekëve shtëpiakë, ndihmës së shpejtë etj.

Është një punë e pazakonshme kjo që bëni këto ditë?

E pazakonshme është nga fakti se tash bota gjendet para një pandemie globale lidhur me koronavirusin. Njerëzit si reaksion normal psikologjik kanë frikë nga infektimet e koronavirusit dhe për çdo simptomë, si kollitje apo temperaturë mundohen në çdo formë nëpërmjet rrugëve të ndryshme të informohen sa më shumë lidhur me testet e koronavirusit (COVID-19) dhe ecurinë e sëmundjes, sepse është diçka e re për të gjithë ne, po ashtu edhe për shkencën.

A jeni i angazhuar në „zonën e kuqe“, siç quhet pjesa ku janë izoluar pacientët?

Aktualisht në spitalin ku jam duke punuar nuk kemi zonë të kuqe, por nëse kemi raste të dyshuara izolohen, testohen dhe trajtohen si çdo pacient tjetër dhe sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë së Zvicrës. Gjendja
aktuale edhe tek ne ndryshon çdo ditë.

A ndodh që miqtë ose shokët nuk duan të ju takojnë nga frika?

Deri tani nuk më ka ndodhur, edhe pse e pranoj me keqardhje që nuk më ka premtuar koha, sidomos kohët e fundit që të takohem me miq. Por përmes bisedave telefonike ka pasur interesim të madh të informohen në mënyrë profesionale lidhur me rrugët e përhapjes dhe parandalimit të koronavirusit, gjë që e kam bërë pa e kursyer aspak kohën që kam pasur në dispozicion.

A ka vend për panik, sa është e përgatitur Zvicra për ndonjë pandemi ?

Paniku tashmë ekziston, sepse është përhapur më shpejt se sa vetë virusi. Kështu, tani është një përgjegjësi edhe më e madhe e personelit mjekësor: përveçse ta luftojë koronavirusin, indirekt, duhet ta luftojë edhe panikun e krijuar te pacientët. Unë besoj që Zvicra është më e përgatitur se çdo vend tjetër në Evropë dhe jashtë saj. Aktualisht Zvicra ka një mbikëqyrje shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda, si dhe atyre akute në gjithë vendin. Po ashtu sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. Panik jo, por kujdes po, madje maksimal.

Si përhapet koronavirusi dhe cilat janë simptomat?

Koronavirusi mendohet se përhapet kryesisht nga njeriu te njeriu. Kjo mund të ndodhë me njerëz të cilët janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin.
Kolla dhe teshtima e personave të infektuar mund të përhapë virusin në personat e afërt. Këto pikëza mund të hyjnë në rrugët ajrore te një person tjetër, që ndodhet në më pak se një metër e gjysmë distancë.
Koronavirusi mund të përhapet edhe nga kontakti me sipërfaqe ose objekte të infektuara. P.sh. një person mund të infektohet me COVID-19 duke prekur sipërfaqe ose objekte, në të cilat mund të gjendet virusi dhe më pas të prekë gojën, hundën ose sytë. Meqenëse ky koronavirus nuk ka shumë kohë që është zbuluar, koha nga ekspozimi deri në shfaqjen e simptomave ngelet për t`u përcaktuar saktësisht. Megjithatë, duke u bazuar në informacionet e deritanishme, simptomat mund të shfaqen nga 3 ditë nga ekspozimi deri në 13 ditë mbrapa. Të moshuarit dhe personat me sëmundje të tjera, si bronkiti kronik, emfizema, insufiçenca kardiake dhe/ose diabeti janë më shumë të rrezikuar për të zhvilluar simptoma të rënda të sëmundjes.

Si të mbrohemi nga koronavirusi

Lani shpesh duart me ujë dhe sapun dhe pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli; Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose me shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart; Mbani distancë; Shmangni shtrëngimin e duarve; Qëndroni larg prej personave që kolliten apo teshtijnë; Në rast se keni temperaturë e kollë, qëndroni në shtëpi; Vetëm pas njoftimit me telefon, shkoni në klinikën e mjekut ose në stacionin e rasteve të emergjencës.

Koronavirusi përhapet edhe nga kontakti me sipërfaqet e prekura

Koronavirusi mund të përhapet edhe nga kontakti me sipërfaqe ose objekte të infektuara. P.sh. një person mund të infektohet me COVID-19 duke prekur sipërfaqe ose objekte, në të cilat mund të gjendet virusi dhe më pas të prekë gojën, hundën ose sytë.