Lajme

Pako e Ringjalljes Ekonomike, këta janë punëtorët që do t’i marrin deri 100 euro

Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se masat në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike kanë pasë sukses relativisht të mirë por që synojnë ta shtrijnë edhe më tutje.

“Masa 1.1 në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike ka të bëjë me rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë, masa 1.2 ka të bëjë me formalizimin e punëtorëve dhe mbështetjen e punëtorëve të rinj duke ua paguar 10 % të pagës, si dhe masa 1.3 ka të bëjë me mbështetjen e punësimit të grave. Që nga lansimi i këtyre masave numri i aplikimeve ka arritur në 2500 për të trija masat – për masën 1.1 kemi pasë 400 aplikime, për masën 1.2 800 aplikime dhe për masën 1.3 rreth 1300 aplikime. Suksesi ka qenë relativisht i mirë, por synimi jonë është që ta shtrijmë edhe më tutje formalizimin, pra të jemi më agresivë në fushatën e formalizimit të punës – puna e deklaruar të bëhet normë në vendin tonë dhe punëtorët të pajisen me kontrata të punës. Ky është edhe synimi jonë dhe prioriteti jonë si qeveri”.

“Për ta arritur këtë synim sa më shpejt dhe sa më lehtë ne kemi paraparë këto masa, megjithatë konsiderojmë se vetëdijësimi ende nuk ka arritur nivelin e duhur, pra që të kemi vetëdijësim nga ana e punëdhënësit dhe punëtorit që puna duhet të jetë e deklaruar dhe të formalizohet. Kjo na ndihmon neve si shtet që të kemi statistika më të mira, na ndihmon që të dimë se ku duhet të ndihmojmë, i ndihmon të punësuarit për shkak që mund të kenë qasje në financim dhe gjithashtu edhe punëdhënësve sepse pagat që i paguajnë për punëtorët e deklaruar mund t’i llogarisin si shpenzime të zbritshme në kuadër të të ardhurave që i deklarojnë në ATK”.

Murati, në një konferencë për media, ka thënë se kanë paraparë zgjerimin e këtyre tri masave.

“Fillimisht mbështetja ka qenë vetëm për punëdhënësin në mënyrë që ata të nxiten të punësojnë staf të ri, të formalizojnë punëtorët ekzistues dhe të punësojnë më shumë gra. Zgjerimi ka të bëjë me shtrirjen e mbështetjes edhe te të punësuarit e deklaruar. Bëhet fjale për të gjithë të punësuarit e deklaruar nga data 1 korrik e tutje – që janë deklaruar nga punëdhënësi në njërën nga këto masa. Duam të sigurohemi që të ketë nxitje edhe nga ana e të punësuarve që të ketë presion te punëdhënësi për deklarim dhe nënshkrim të kontratës, sepse kemi parë që ofrimi i mbështetjes të deritanishme nuk ka nxitur ndonjë reagim te punëtorët”.

“Të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës në kohë të pandemisë dhe që janë punësuar nga data 1 korrik e tutje do të ketë mbështetje në vlerë prej 100 eurosh për tre muaj radhazi. Për të gjithë të punësuarit e ri mbështetja do të jetë tri muaj nga 50 euro”.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?