Lajme

Pacolli i reagon VV’së: Shkatërrues jeni ju, ose drejtoni vendin si duhet ose largohuni

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar për një video të publikuar mbrëmë nga Vetëvendosje, në të cilën sulmohen e akuzohen ish-krerë të shtetit, opozita e tanishme si dhe sindikatat duke u quajtur “shkatërrues të shtetit”.

Me anë të një postimi në Facebook, Pacolli i është kundërpërgjigjur VV-së duke thënë se shkatërrues të shtetit janë qeverisja aktuale dhe jo e kaluara, shkruan lajmi.net.

“E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën”, ka shkruajtur ai.

“Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!”, ka shkruar tutje Pacolli.

Postimi i plotë i kreut të AKR-së:

E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?

Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.

Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …

Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.

Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz.

Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ju asgjë.

Kam rindërtuar me shije, hapësirat në ndërtesat ku ju edhe sot punoni (Parlamentin, presidencën, ministrinë e punëve të jashtme e shumëçka, e ju jo që nuk i keni ndërtuar apo mirëmbajtur, por jeni përpjekur edhe ti shkatërroni.

Sot shëroj me dhjetëra pacientë jashtë vendit dhe i financoj me dhjetëra studentë jashtë vendit e ju asnjë.

Është turp për ju! Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ju nuk jeni në gjendje të jepni. Deri tani vetëm keni sharë e fyer e nëse vazhdoni kështu nuk di si do të duket Kosova…

Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!