Lajme

Pacientët e QKUK-së detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet kundër kancerit

Pacientët e sëmurë me kancer, përveç se duhet të përballen me këtë sëmundje tejet të rëndë, ata detyrohen të përballen edhe me mungesë të terapisë.

Ka dy javë tashmë që në stokun e barnatores së Klinikës së Onkologjisë në QKUK, mungojnë dy lloje të ilaçeve, që të sëmurët i përdorin për lloje të ndryshme të tumoreve kryesisht për atë në mushkëri, raporton KTV.

Aty mungojnë citostatikët cisplatinë, të cilët pacientët, me para nga xhepi i tyre i blejnë, 10 deri në 15 euro dhe ilaçi tjetër, (etoposide)etopozit i cili kushton 30 deri në 40 euro.

Çmimi edhe mund të jetë i përballueshëm për ndonjë pacient, por jo edhe për ata të sëmurë me kushte të rënda ekonomike të cilët duhet ta marrin këtë terapi çdo javë.

Se ka mungesë të këtyre dy llojeve javëve të fundit, e pranojnë edhe drejtues të Klinikës së Onkologjisë. Megjithatë, sipas drejtorit të kësaj klinike, Ilir Kurtishi, për momentin lista e ilaçeve është duke u përmbushur 80 për qind.

Arsye e mungesës së këtyre barnave, sipas Kurtishit, janë vonesat e operatorëve ekonomikë në furnizim.

Përveç Klinikës së Onkologjisë, edhe klinikat e tjera të SSHKUK-së kanë mungesë të barnave të llojeve të ndryshme.