Lajme

Osmani falënderon Amerikën për arritjen e marrëveshjes në Bruksel

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë Osmani meritat për këtë marrëveshje ia ka dhënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dua të falënderoj ambasadorin Jeff Hovenier dhe Qeverinë e SHBA-së për angazhimin e tyre në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova u është mirënjohëse”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Osmani, ka qenë e ashpër me ndërmjetësuesin Borrell duke akuzuar atë për njëanshmëri. Ndryshe, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell./Telegrafi/