Lajme

Opozita e lë në “lloç” PSD-në, nuk merr pjesë në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka folur për protestën e nesërme të organizuar nga ky subjekt politik kundër shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që preken nga shtrenjtimi i rrymës që të marrin pjesë në protestën e nesërme.

“Thirrja është që të vijë secili qytetarë që preket nga kjo faturë, secili që preket nga ky shtrenjtim i energjisë elektrike, ne presim që të marrin pjesë në protestë. Vetëm bizneset dhe KEDS-i dhe komunat e veriut janë ato që nuk preken nga shtrenjtimi i rrymës”, deklaroi Kuçi në T7, shkruan Gazeta Insajderi.

Ajo ka folur edhe për ftesën që i kanë bërë partive opozitare që t’u bashkohen në protestë.

“Është pak e çuditshme, pasi që kishim kontaktuar me partitë opozitare, apo ato parlamentare. Sot pamë një deklaratë të AAK-së që mbështetëse kauzën për të protestuar ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike por që thoshte se nuk janë pjesë e protestës. Ne kemi marr një konfirmim të tyre që do të jenë pro kësaj kauze dhe që do të marrin pjesë në forma të ndryshme. Me siguri duan të tregojnë që nuk janë pjesë e organizimit”, tha ajo, shkruan Gazeta Insajderi.

Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, e ka konfirmuar gjatë ditës se nuk do të marrë pjesë në protestën e së shtunës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, thuhet në komunikatë, shkruan Gazeta Insajderi.

Veç AAK-së, në këtë protestë nuk merr pjesë as PDK-ja.

Lajmin e ka konfirmuar, kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, mbrëmë në Klan Kosova.

Protesta kundër shtrenjtimi të rrymës do të fillojë nesë nga ora 14:00, tek sheshi Zahir Pajaziti.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?