Lajme

OBSH: Shpërndarja ajrore e koronavirusit e mundshme në ambiente të mbyllura

Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke pranuar mundësinë që CoViD-19 mund të shpërndahet përmes ajrit nën kushte të caktuara – pasi që më shumë se 200 shkencëtarë kërkuan nga agjencia të pranojë këtë rrezik.

Në një letër të publikuar këtë javë, dy shkencëtarë nga Australia dhe SHBA-ja kanë shkruar që studimet tregojnë që viruset e liruara gjatë frymëmarrjes, kollitjes dhe duke folur në mikrospërkla shumë të vogla mund të mbesin në ajër për një kohë të gjatë.

Deri më tani OBSH-ja ka mohuar që virusi mund të transmetohet përmes ajrit, përpos në rast kur pacientët futen për herë të parë në aparate për frymëmarrje, por dje ata kanë treguar që pasi që i kanë shqyrtuar këto studime të reja dhe studimet që tregojnë që virusi është përhapur në restaurante dhe fitnese, është e mundur që virusi të shpërndahet përmes ajrit.

Shpërndarja ajrore “sidomos në ambiente specifike të mbyllura, si zona me shumë njerëz dhe pa ventilim adekuat për kohë të gjata me njerëz të infektuar brenda tyre, është i mundshëm”, tha OBSH-ja.

Por, zyrtarët e agjencisë cekën që edhe mënyra tjera të transmetimit – si sipërfaqet e kontaminuara apo kontaktet e afërta mes njerëzve në këto ambiente të mbyllura – mund të shpjegojnë shpërndarjen e sëmundjes nën këto kushte.

OBSH-ja po ashtu pranoi rëndësinë e shpërndarjes së virusit nga njerëzit me CoViD-19 por pa simptoma, një fenomen që deri më tani nuk i kanë dhënë shumë rëndësi.

Deri më tani agjencia ka thënë që transmetimi i tillë i virusit është shumë i rrallë edhe pse shkencëtarët në botë kanë thënë që gjysma e rasteve të konfirmuara janë infektuar nga njerëzit e sëmurë por pa simptoma.

“Shtrirja e infeksioneve të vërteta asimptomatike në komunitete mbetet e panjohur,” tha OBSH-ja. /Objektiv/


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19