Lajme

OBSH: Një lajm i mirë nga i keqi COVID, por kujdes!

Për javën e tretë me radhë, numri i infeksioneve në botë është në rënie, tha të hënën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke paralajmëruar se bota duhet të mbetet vigjilente.

“Ne ende kemi vende ku ka një rritje të numrit të rasteve të infeksionit, por globalisht, ky është një lajm inkurajues. Kjo tregon se si mund të kontrollohet ky virus, edhe me shtame të reja në qarkullim. Dhe kjo tregon se nëse vazhdojmë me masat e provuara të shëndetit publik, ne mund të parandalojmë infeksionin dhe të shpëtojmë jetë,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus.

Sipas të dhënave të Universitetit Amerikan Johns Hopkins të hënën, numri i rasteve të konfirmuara të virusit të ri Corona në botë është pak më shumë se 103 milion, ndërsa më shumë se 2.23 milion njerëz janë shuar nga pasojat e infeksionit, dhe më shumë se 10.4 milion janë rikuperuar.

Virusi mund të rikthehet

“Ne kemi qenë në këtë situatë më parë. Gjatë vitit të kaluar, ka pasur raste kur numri i infeksioneve të reja në pothuajse të gjitha shtetet ka qenë në rënie dhe qeveritë kanë marrë vendime lehtësuese shumë shpejt, por ahere virusi është kthyer“, tha Tedros.

“Ndaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë të vazhdojmë të zbatojmë masa mbrojtëse për të shpëtuar jetën tonë dhe të të tjerëve. Bëhu një shembull i kësaj.”

Kontrolli i përhapjes së virusit shpëton jetë, tha ai dhe do t’i shpëtojë ato më vonë, duke zvogëluar shanset e mutacioneve të reja, gjë që lejon që vaksinat të mbeten efektive. /tesheshi.com/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?