Lajme

Njeriut të propagandës së Putinit i ndalohet xhirimi në Aeroportin e Prishtinës

Andrey Kondrashov ka thënë se qëllim i vizitës së tij në Kosovë është realizimi i një dokumentari për takimet e amerikanëve dhe rusëve në vendin tonë, por dyshimet janë se “ai nën petkun e gazetarit ka qëllime që të mbledh informacion të ndjeshëm, i cili mund të dëmtojë sigurinë e Republikës së Kosovës”.



Andrey Kondrashov deri vonë ka udhëhequr programin Vest Nedeli (Lajmet e Javës), ndërsa në janar të vitit 2018, ai është bërë zëdhënës i selisë së fushatës elektorale të presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai është autor i disa filmave dokumentar, përfshirë edhe filmin “Krimea, rruga për atdhe”, e cila përqendrohet në ngjarjet e vitit 2014, gjatë aneksimit të Krimesë.

Ky film paraqet një intervistë të gjatë me presidentin rus, Putin. Kondrashov ishte edhe në mesin e gazetarëve të dekoruar nga presidenti rus, Putin për mbulimin “objektiv” të ngjarjeve në Krime. Ai është gjithashtu autor i filmit dokumentar me titull “Putin”, i cili përbehet me një seri intervistash me këtë të fundit.

Ky film gjithashtu përmban intervista me kryeministrin rus, Dimitry Medvedev, sekretarin e këshillit të sigurisë Nikolai Patrushev, ish-kancelarin gjerman dhe ish-kryeministrin italian. Në foto: Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Andrey Kondrasho.


Kondrashov bashkë me një ekip prej 5 personave dje kanë hyrë në Kosovë përmes aeroportit Adem Jashari me procedurë të rregullt me vizë shengen dhe me një autorizim gjoja nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Mëngjesin e sotëm ata ishin nisur drejt aeroportit që të filmon gjoja për një dokumentar televiziv, por dyshimet janë se ai nën petkun e gazetarit ka qëllime që të mbledhë informacion të ndjeshëm, i cili mund ta dëmtojë sigurinë e Republikës së Kosovës.

Ekipi i RTK-së është takuar me Kondrashovin dhe e ka pyetur se cili është qëllimi i vizitës që po i bëjnë Kosovës.

“Kemi ardhur në Kosovë që të realizojmë një film dokumentar për Kosovën për takimet e rusëve dhe amerikanëve në Kosovë”, thotë Kondrashov.

Komandanti i Policisë së Kosovës në Aeroport, Shpend Maliqi, personin që shoqëronte Kondrashovin e ka pyetur se a kanë leje që të xhirojnë në zonën e Aeroportit, por këta të fundit nuk posedonin një leje të tillë.

Kurse, pas verifikimit të dokumentacionit, Policia e Kosovës ekipit të gazetarëve rusë iu dha urdhër që të mos filmojnë dhe largohen nga zona e aeroportit.

Zona e aeroportit Adem Jashari si duket është tepër me rëndësi për një nga njerëzit kryesorë të presidentit Rus, Vladimir Putin, pasi që pavarësisht urdhrit të Policisë së Kosovës ata përsëri insistuan që të filmojnë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, thotë se nuk janë në njohuri për këtë person, megjithatë sipas tij, MPJ jep leje vetëm për zyrtarët e lartë serb, bazuar edhe në marrëveshjen e Brukselit.

“Ministria e Punëve të Jashtme jep leje vetëm për zyrtarët e lartë serb, sipas marrëveshjes së Brukselit. Personat e tjerë që kanë vizë Shengen mund të futen në Kosovë ose ata që nuk kanë vize Shengen bëjnë kërkesë për paisje me vizë”, thotë ai.

Zyberaj mes tjerash thotë se personat që nuk kanë ndalesa trajtohen sipas procedurave standard.

“Të gjithë personat që nuk kanë ndalesa trajtohen sipas procedurave standard. Nëse ai person ka vizë shengen atëherë mund të futet në Kosovë sepse një verifikim paraprak i është bërë nga autoritetet e BE-së”, shton Zyberaj.

Në lidhje me këtë Avni Islami, profesor i çështjeve të sigurisë thotë se është detyrë e Agjencisë së Inteligjencës në Kosovë, që t’i mbajnë nën kontroll këta persona, në rast se të njëjtit kanë tendenca për kryerjen e veprime të jashtëligjshme.

“Nuk është risi, por që nga përfundimi i luftës nga viti 99 e deri më sot, secili shtet qoftë mik apo armik, i ka në vendin tonë punëtorët operativ ose agjentë të shërbimeve intelegjente të tyre, të cilat marrin informacione të nevojshme, të bollshme ato të cilat atyre iu interesojnë. Në rastin konkret pra edhe Serbia por edhe shteti rus, qeveria e Putinit është e interesuar që në Kosovë të ketë agjentët e vet të kamufluar, qoftë përmes organizatave joqeveritare, qoftë përmes gazetarisë dhe ata punojnë për mbledhjen e informacioneve në mënyrë që të ketë nga vendi i ngjarjes ato të cilat iu konvenon”, thotë Islami.

Sipas tij, çdo vizitë e një qytetari rus apo serb, duhet të merret me rezerva dhe dyshime.

Përndryshe, gazeta britanike “Mirror” kishte botuar një artikull vitin e kaluar, ku pikërisht Andrey Kondrashov paraqitej si shefi i propagandës së Putinit për zgjedhjet në Rusi.

Në shtetin e Moldavisë Kondrashov është person non-grata/ Gazeta Sinjali/