Lajme

Njeriu që e shkroi Deklaratën së Pavarësisë së Kosovës, nuk është paguar për punën që e bëri 16 orë pa ndal

Autori i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimani, i cili kaligrafoi në përgamenë “Deklaratën e Pavarësisë” me 16 shkurt 2008, për 16 orë punë efektive, ka thënë se nuk i janë ndarë mjetet nga Qeveria Thaçi për punën që ka bërë.



Artisti Nimani, ka thënë se ai nuk ka shkuar t’i marrë mjetet e ndara nga Qeveria, ku atëkohë ishin ndarë rreth 600 mijë euro, por sipas tij, as Qeveria nuk e kanë kërkuar më.

“Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar”, është shprehur Nimani për KultPlus.

Nimani, ka thënë gjithashtu se brenga e tij e vetme është se nuk ka pasur shumë kohë për të bërë më të mirën e tij, pasi ai kishte vetëm 16 orë kohë, që sipas tij në kushte normale, është e vështirë të bëhet.

Kujtojmë që pergamena në të cilën është shkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, është dhuruar nga Anglia dhe është e vjetër 200 vjeçare./ Gazeta Sinjali/