Lajme

Një ditë para izolimit, kështu duket Prishtina sot

Kosova që nga 11 marsi ka filluar me marrjen e masave në përballje me pandeminë globale, Covid-19.

Mbyllja e shkollave, mbyllja e bizneseve të shumta, shkurtimi i orarit për plotë të tjera, dhe daljet e kufizuara ishin ndër masat e para që u morën nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Mirëpo me shfuqizimin e këtyre masave me datën 13 prill (dje) nga Gjykata Kushtetuese, Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për një varg masash e vendimesh, e të cilat do të hyjnë në fuqi që nga dita e nesërme.

Një situatë e tillë ku qytetarët mund të lëvizin nëpër qytete dhe vendbanime të tjera brenda një afati kohor prej 1 orë e gjysmë, ka prodhuar sot një kundër-efekt.

Rrugët e qyteteve të Kosovës kanë qenë të mbushura gjatë tërë të martës me vetura të shumta, me qytetarë të shumtë, të cilët ngarendnin sa në një dyqan sa në një tjetër, sa në një bankë sa në një tjetër. Kështu pa përfillur rregullat e distancës sociale,e madje duke rrezikuar jetën e tyre dhe të secilit që kishin pranë.

IndeksOnline, gjatë tërë ditës ka shfaqur pamje të filialeve të ndryshme bankare, të supermarketeve të ndryshme, të cilat ishin të mbushura plotë. Madje në disa prej tyre supermarekeve nuk mungonin as promovimet e produkteve, duke nxitu kësisoj këtë eufori të pakontrolluar të njerëzve.

Qytetarët me këto lëvizje të sotme, kanë filluar përgatitje për të hyrë në një fazë të re, në një situatë të re, e për të cilën askush nga ne nuk e dimë se si do ta kapërcejmë.

Ajo çka ne urojmë është që rezultatet e këtij numri jashtëzakonisht të madh të njerëzve të mos na dalin pozitiv pas dy javësh./IndeksOnline/