Lajme

Nis seanca për Presidentin: A do të arrijë Vjosa Osmani të ulet në karrigen e shefes së shtetit

Ka nisur seanca në të cilën do të provohet zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës.

Nuk dihet nëse të gjithë deputetët e LDK’së do të marrin pjesë në procesin e votimit të Vjosa Osmanit, meqë brenda grupit parlamentar janë disa emra të cilët kanë vetëm histori përplasjesh me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.

Bëhet fjalë për Agim Veliun, Avdullah Hotin e Driton Selmanajn, votat e të cilëve janë në pikëpyetje të madhe, derisa mbetet të shihet se cili do të jetë edhe qëndrimi i Behgjet Pacollit.

Në rast se VV nuk merr të gjitha votat e LDK’së, pa votat e AAK-së, PDK-së dhe të Listës Serbe, do të jetë e pamundur zgjedhja e presidentit.

Ndërkohë thirrjet e Ambasadave të huaja në vend janë që të gjithë deputetët të marrin pjesë në seancën për presidentin dhe të përmbyllet cikli i formimit të institucioneve.

LEXO EDHE:  Lekaj fton 110 deputetët që të shkojnë në veri, Konjufca i përgjigjet: Pal, a po na prinë?

Kësaj seance i ka paraprirë tërheqja e Ligjit për Zgjedhjet nga Kuvendi i Kosovës, që ishte edhe kusht i LDK’së për Vetëvendosjen.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh

LEXO EDHE:  Kurti tregon hallin që kishte për tre kryetarët e komunave veriore