Lajme

Nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për kryerjen e testeve për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare.

Zemaj përmes një postimi në Facebook tha se nga kjo javë do të shtohet numri i inspektorëve në terren.

“Gjithashtu, nga kjo javë do të shtohet numri i inspektorëve në terren, duke rritur kështu mundësinë për zbatimin strikt të masave të caktuara. Ndërsa nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare”, ka shkruar Zemaj.

Ai tha se mbrëmë ishte vetë dëshmitar në terren që nuk janë respektuar masat e Qeverisë ndaj parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

“Mbrëmë, unë vetë isha dëshmitar në terren, por gjithashtu kam marrë mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Prandaj, nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave”, thuhet në postimin e Zemajt.

Ai shtoi se janë duke punuar në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali vetëm për pacientët me COVID-19, pasi janë të vetëdijshëm se me ngarkimin e QKUK-së po rritet mundësia e infektimit me COVID-19 edhe e pacientëve që janë aty për trajtime të tjera.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19