Lajme

“Nëse ne vendosim t’i kompenzojmë paratë e Trustit e shkelim Kushtetutën”, deklarata e ministres Bajrami shpërfillet nga Qeveria Hoti

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kishte thënë se nëse qeveria vendos t’i kompenzojë paratë e hequra nga Fondi i Kursimeve Pensionale, atëherë do ta shkelte Kushtetutën e vendit.

Shefja e kuletës së shtetit këtë deklaratë e kishte bërë rreth dy muaj më parë, kur diskutohej për Pakon e Rimëkëmbjes.

“Pas shumë konsultave ne kemi ardhur në përfundim se nëse e bëjmë një gjë të tillë, ne bëjmë shkelje kushtetuese sepse krijojmë pabarazi sociale. Tani pabarazia sociale ekziston, por nuk guxon shteti me instrumentat e vet më kriju pabarazi sociale”, kishte thënë Bajrami më 23 shtator në KTV, shkruan Gazeta Insajderi.

Kjo deklaratë e saj kishte ardhur pas propozimit të partive opozitare për kompenzimin e parave të tërhequra për të gjithë ata që i kanë më pas se 10 mijë euro në Trust.

“Nuk jemi duke e ndihmuar askëndë, por neës kishim vendos me kompenzu këtë shumë të tërhequr nga mjetet e buxhetit – në këtë moment ne kishim ndihmu, dhe në këtë moment kishim qenë të pabarabartë ndaj qytetarëve”, kishte deklaruar Bajrami, shkruan Gazeta Insajderi.

“Në qoftëse partitë opozitare janë të interesuara që këtë ligj me bë ma mirë, por gjithmonë duke u bazuar në mundësitë reale. Unë kam dëgju për kompenzimin e 10% për një periudhë, në afat prej pesë vjetëve, dmth për të gjithë ata që kanë mbi 10 mijë euro në Trust… etj, etj. Nuk është s’e nuk i kemi shterr këto mundësi, edhe ne fillimisht kemi mendu se mjetet e marrë nga Trusti duhet të kompensohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Ligji për Rimëkëmbjen e vendit ka kaluar vetëm dje, pasi në të është futur edhe amandamenti i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili thotë se të gjithë qytetarët që kanë kursime më pak se 10 mijë euro do të kompensohen nga shteti, në afat prej pesë vjetësh, nëse vendosin t’i tërheqin ato.

Projektligji për Pakon kishte kohë që ishte në Parlament, dhe i njëjti nuk kalonte, pasi Qeveria Hoti nuk i kishte votat e nevojshme.

Kalimi i tij me 72 vota, u bë i mundur vetëm pasi dorën për e ngritën edhe deputetët PDK-së, partisë së dytë më të madhe opozitare në Parlement./GazetaInsajderi/


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?